Italia dyfishon taksën për të huajt e pasur

schedule08:23 - 9 Gusht, 2024

schedule 08:23 - 9 Gusht, 2024

Italia ka dyfishuar taksën e sheshtë mbi të ardhurat e huaja të banorëve të rinj në vend, në një goditje për emigrantët e pasur, që kërkojnë të ikin nga perspektiva e taksave më të larta diku tjetër në Europë.

Kabineti i kryeministres Giorgia Meloni miratoi një rritje të taksës vjetore mbi të ardhurat jashtë shtetit, për banorët e rinj në Itali, në 200,000 euro.

Taksa aktuale 100,000 €, ka qenë e diskutueshme mes italianëve, veçanërisht në kryeqytetin e biznesit Milano, ku fluksi i fundit i super të pasurve është fajësuar për një rritje të mprehtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe rritje të tjera në kostot e jetesës.

Ministri i Financave Giancarlo Giorgetti, i cili iu referua taksës si “të ashtuquajturat taksa të sheshta për miliarderët”, tha në një konferencë shtypi se niveli i ri i taksës do të vazhdonte të tërhiqte të huajt e pasur.

Ai më vonë sqaroi se taksa më e lartë do të zbatohej vetëm për njerëzit, që do të marrin rezidencën tatimore në Itali tani e tutje, dhe jo ata që ishin zhvendosur tashmë atje.

Roma gjithashtu donte të shmangte një garë me kombet e tjera, në përpjekjen për të joshur individë dhe kompani të huaja përmes lehtësimit tatimor.

“Nëse fillon kjo konkurrencë, vende si Italia – e cila ka hapësirë ​​shumë të kufizuar fiskale – janë të destinuara në mënyrë të pashmangshme të humbasin”, tha ministri i financave.

Meloni mbrojti vendimin në mediat sociale, duke thënë se qeveria “e konsideroi të drejtë të dyfishonte shumën e taksës” për të huajt e pasur, sepse donte të “zbusë një masë, që dukej jashtëzakonisht bujare”.

Italia regjistroi një deficit buxhetor prej 7.4 % të prodhimit të brendshëm bruto vitin e kaluar, më shumë se dyfishi i kufirit prej 3 % të vendosur nga BE.

Italia është shfaqur si një destinacion popullor për super të pasurit në botë, falë stimujve bujarë tatimorë të nisur në vitin 2016, në një përpjekje për të rikthyer ikjen afatgjatë të trurit të vendit.

Skema e taksës së sheshtë, e nisur pas votimit të Brexit, bëri që shumë europianë me bazë në Britani të kthehen në shtëpi, duke lejuar banorë të rinj të huaj në Itali, ose italianët që kthehen pas të paktën nëntë viteve jashtë vendit, të paguajnë një taksë të sheshtë për çdo të ardhur ose pasuri të huaj për 15 vjet.

Deri më tani, skema ka tërhequr të paktën 2730 multimilionerë për të banuar në Itali.

“Padyshim që do të zvogëlojë numrin e njerëzve, që duan të shkojnë në Itali”, tha Tim Stovold, partner në Moore Kingston Smith, firmë kontabiliteti, megjithëse ai vlerësoi se kushdo me më shumë se 7 milionë paund pasuri do ta konsideronte regjimin e ri tatimor ende “interesant”.

Uljet e taksave u kundërshtuan nga shumë italianë, veçanërisht në Milano, ku fluksi i të pasurve është fajësuar për një rritje prej 43 % të çmimeve të pasurive të paluajtshme gjatë pesë viteve të fundit dhe rreth 20 % rritje të qirave në dy vitet e fundit.

Shumë investitorë kishin pritur, që fluksi i të huajve të pasur në Itali do të vazhdonte, ndërsa qeveria e re laburiste e Britanisë përgatitet të shfuqizojë regjimin e diskutueshëm të Mbretërisë së Bashkuar, i cili kishte lejuar të huajt e pasur të shmangnin çdo taksë mbi të ardhurat e tyre jashtë shtetit.

Destinacione të tjera në Europë dhe Lindjen e Mesme mbeten të preferuara për emigrantët e pasur, duke përfshirë Dubain, i cili nuk zbaton taksa personale për individët, dhe Zvicrën, e cila operon një sistem “forfait”, ku individët e pasur bien dakord për taksën që paguajnë me autoritetet lokale.

Në Greqi, disa emigrantë mund të përfitojnë gjithashtu nga një taksë vjetore e sheshtë prej 100,000 € për deri në 15 vjet.

Individët duhet të kenë jetuar jashtë Greqisë për shtatë nga tetë vitet e fundit dhe të kenë investuar një minimum prej 500,000 € në pasuri të paluajtshme, obligacione ose aksione greke.

Francezët u kthyen në shtëpi dhe bizneset ndërkombëtare zgjeruan operacionet, pas zgjedhjes së Emmanuel Macron shtatë vjet më parë, të tërhequr nga parimet e tij miqësore ndaj biznesit dhe uljet e taksave.

Por, përballë perspektivës së rritjes së taksave dhe viteve të ngërçit politik, pas zgjedhjeve të parakohshme të Francës në qershor, shumë tani po bëjnë plane të tjera. / Financial Times