”Ushtria dhe forcat ajrore izraelite janë gati për mbrojtje, por edhe për sulm”, raportoi televizioni izraelit ”Channel 12”. Ndërkohë, rebelët Houthi të Jemenit premtojnë një përgjigje ushtarake ndaj përshkallëzimit të rrezikshëm, të shkaktuar nga Izraeli.
Goditja ndaj Haniyeh ishte aq dramatike sa e detyroi Republikën Islamike të shpallte një përgjigje adekuate dhe në fakt filluan përgatitjet për një sulm, pasi regjimi mbylli hapësirën ajrore dhe mblodhi së bashku milicitë aleate të rajonit për të vendosur metodat e hakmarrjes kundër shtetit hebre, në prani të të gjithë establishmentit iranian, nga presidenti Massoud Pezeshkian deri te kreu i Pasdaran, Hossein Salami.
“Ne po studiojmë se si të hakmerremi, kjo patjetër do të ndodhë”, paralajmëroi shefi i Shtabit të Ushtrisë, Mohammad Bagheri, një ditë pas urdhrit të Khameneit për të goditur drejtpërdrejt Izraelin, siç raportohet nga ”New York Times”.
Hapi i parë ishte një konfrontim me aleatët tashmë aktivë në destabilizimin e Izraelit në sfondin e luftës në Gaza.
Një zyrtar foli për një takim për të bërë një “vlerësim të plotë të mënyrës më të mirë dhe më efektive për t’u hakmarrë ndaj regjimit sionist”.
Në takim morën pjesë milicitë Houthi jemenase, ato irakiane, palestinezët e Hamasit dhe Xhihadit.
Dhe sigurisht Hezbollahu, i sapo ”djegur” nga vrasja në Bejrut e komandantit Fuad Shukr, që besohet të jetë krahu i djathtë i Hassan Nasrallah.
”Me sulmin e dyfishtë që dhunoi kryeqytetet e Libanit dhe Iranit, shteti hebre kaloi vijën e kuqe”, akuzoi lideri shiit libanez duke deklaruar se kemi hyrë në një fazë të re të sfidës ndaj armikut të vjetër.
I ashtuquajturi bosht i rezistencës, sipas disa analistëve dhe burimeve të brendshme, po vlerëson dy skenarë, një përgjigje të njëkohshme nga Irani dhe aleatët e tij ose veprime individuale të kryera nga secili fraksion.
Izraeli i merr seriozisht kërcënimet. Në veri, në kufirin me Libanin, janë marrë masa të jashtëzakonshme sigurie.
Dhe dhjetëra avionë, siç raportoi ”Channel 12” tashmë janë në pistat e ngritjes gati për mbrojtje, por edhe për sulm.
“Ne jemi në një nivel shumë të lartë përgatitjeje për çdo skenar, si mbrojtës ashtu edhe sulmues”, konfirmoi kryeministri Benjamin Netanyahu përpara se të fliste në telefon me Joe Biden për të bërë një bilanc.
Frika e një lufte në shkallë të gjerë po trazon gjithashtu Evropën.
Gjithnjë e më shumë vende kanë pezulluar fluturimet për në Bejrut dhe këshillojnë bashkatdhetarët e tyre të shmangin Libanin.
Sot, kompania gjermane ”Lufthansa” njoftoi se ka pezulluar lidhjet me Tel Avivin deri më 8 gusht.