Prokuroria e Posaçme ka goditur organizatën kriminale që drejtohej nga dy vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja. Baza e kësaj bande kriminale rezultoi të jetë në Elbasan.
Veprimtaria kriminale e dy vëllezërve daton rreth viteve 2006-2007. Ndërsa për të zotëruar tregun ndaj grupeve të tjera, banda, në vitin 2018 nisi eliminimin e kundërshtarëve.
Hetimet e SPAK zbuluan se vëllezërit Çopaj porositën 14 ekzekutimeve, ndërsa gjithashtu është edhe zbardhur edhe rasti i grabitjes në Rinas të ndodhur në vitin 2019.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e BKH-së, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formë e organizatës kriminale, si më poshtë:
- Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese” në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;
- Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 07.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;
- Fakti penal “Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;
- Fakti penal “vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.09.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;
- Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.01.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;
- Fakti penal “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.
- Fakti Penal “Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier;
- Fakti Penal “Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.
Gjithashtu kjo organizatë kriminale ka kryer dhe veprime aktive duke siguruar kushtet dhe mjetet materiale me qëllim kryerjen e vrasjes së disa shtetasve, konkretisht:
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2019 –janar 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej pas periudhës së karantinës në vitin 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajin shtator 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore korrik – nëntor 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore korrik – tetor 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore tetor – nëntor 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit A., ngjarje e planifikuar të kryhej në shtator të vitit 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore dhjetor 2019 – janar 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2020 – janar 2021;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit S., ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore janar 2020 – janar 2021;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit C., ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore janar 2020 – nëntor 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Ç., ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – nëntor të vitit 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt maj – gusht të vitit 2020;
- Fakti Penal “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit B., ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – gusht të vitit 2020.
- Janë evidentuar dhe dokumentuar raste te përkrahjes së autorit të krimit, veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe moskallëzim krimi.
- Gjithashtu, është evidentuar dhe rekrutimi i dy punonjësve të policisë së shtetit, për të kryer veprime në kundërshtim me detyrën për llogari të organizatës kriminale.
- Është evidentuar edhe fakti penal i “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ”, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan dhe “Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
- Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.86, datë 29.07.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale për 33 shtetas. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 31.07.2024 masat e sigurimit të caktuara ndaj 13 shtetasve ndërkohë që 2 shtetas të tjerë gjenden të arrestuar jashtë Shqipërisë.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës është ushtruar kontroll në 8 ambiente në ndryshme në përfundim të të cilëve është bërë e mundur sekuestrimi i një shume të madhe parash cash, në valuta të ndryshme dhe lekë në një shumë totale mbi 1 000 000 (një milion) Euro si dhe prova të tjera materiale që paraqesin interes për hetimin e mëtejshëm.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 467, datë 29.07.2024, me objekt “Vendosjen e sekuestros preventive”, janë sekuestruar 42 (dyzet e dy) pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 (katër) katësh dhe katër llogari bankare.
/abcnews.al/