MALIQ- Zjarri, që ka përfshirë prej disa ditësh masivin pyjor të Bodës, në kufi mes Korçës dhe Maliqit sipas një bilanci paraprak ka djegur dhe dëmtuar një sipërfaqe prej rreth 100 hektarë pyll dhe bimësi e ulët.
Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur kontrollin ndaj flakëve, të cilat kanë përparuar për shkak të erës dhe temperaturave të larta. 120 forca të shërbimit zjarrfikës të të gjitha bashkive të Qarkut janë në terren dhe po përpiqen të mos lejojnë avancimin e flakëve dhe shtimin e vatrave të zjarrit.
Në kushtet e terrenit të vështirë ndërhyrja nga ajri do ishte e domosdoshme, sipas autoriteteve lokale të cilat kanë kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile.
Dyshohet që zjarri në masivin pyjor të Bodës të jetë aksidental, por nuk përjashtohet mundësia edhe e zjarrvënës së qëllimshme./ abcnews.al