Kryeministri Edi Rama tha se projekte të tilla si korridori blu, apo aeroporti i Vlorës do të përfundojnë brenda mandatit të katërt të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij në Kongres, Rama deklaroi se numri i turistëve të huaj do të shkojë në 20 milionë.
Kreu i qeverisë shtoi se qershia mbi tortë, do të jetë mbajtja e Samitit të NATO-s në Tiranë në 2027, për të cilën vendi ynë ka hedhur kandidaturën.
“Korridori blu, Korridori 8 që po merr formë aktualisht në një pjesë të tij dhe të gjitha të tjerët. Po t’i numërojmë punët e nisura, do duhet të rrimë deri nesër për t’i numëruar. Do ta bëjmë brenda mandatit të 4, në Elbasan, pistën e Formula 1, do e fusim Shqipërinë edhe në klubin prestigjoz të vendeve të Formula 1, me 1 miliard shikues në një në ditë të dielë. Do hapim vitin e ardhshëm edhe aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Ne shkojmë vetëm përpara, vlonjatët shkojnë edhe më përpara. Deri në fund të mandatit të 4, do hapim portin ushtarak dhe tregtar të Durrësirt, gara shpallet këto ditë. Do ta çojmë në 20 milionë numrin e turistëve të huaj. Do e bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë. Do t’i bëjmë këto. Në mandatin e katërt, qershia mbi tortë, të kemi në Tiranë Samitin e NATO-s. Kemi vënë kandidaturën për vitin 2027”, theksoi ai./abcnews.al