Lajçak nuk do ikë…/ Halimi: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes, tani Kurti është mbështetur prej muri nga presioni i shtuar

schedule16:23 - 26 Korrik, 2024

schedule 16:23 - 26 Korrik, 2024

Këshilli i BE-së i ka zgjatur mandatin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

“Miroslav Lajçakut, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, i është vazhduar mandati deri më 31 janar, 2025”, thuhet në vendim.

Këtë vendim e ka komentuar në emisionin “Ballkan Update”, analisti Jeton Halimi, i cili ka thënë se tani Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Ky lajm tashmë është i konfirmuar, Miroslav Lajçak do të vazhdojë funksionin deri në janar të vitit të ardhshëm. Tani është mëse e qartë që Koosva dhe Serbia duhet të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve”, tha ai.

Më tej, Halimi theksoi se tashmë presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të shtohet.

“Nuk jemi në raportet më të mira me gjitonët tanë europianë dhe kjo është shumë e dukshme. Tani zoti Kurti është mbështetur prej muri dhe në bazë të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese duhet të fillojë me themelimin e asociacionit.

Vazhdimi i Lajçak nuk është një lajm i mirë për zotin Kurti, por Unioni Europian e ka kuptuar dhe ka bërë këtë zgjedhje”, shtoi analisti./abcnews.al