Policia në Përmet ka shpëtuar 7 turistë nga Polonia dhe Gjermania, që mbetën të bllokuar në kanionin e Langaricës. Shkak u bën reshjet e rrëmbyeshme të shiut, teksa turistët kishin dalë të eksploronin me këmbë zonën.
Ndërkohë, mësohet turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i Policisë:
Punonjësit e Policisë ndihmuan 7 turistët nga Polonia dhe Gjermania, që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, për shkak të rreshjeve të rrëmbyeshme të shiut.
Në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e zonave të mbrojtura, u nisën në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.
Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.
Policia e Gjirokastrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112./abcnews.al