Federata Shqiptare e Futbollit është kthyer tashmë në një partner serioz për UEFA-n, që i beson çdo vit organizimin e shumë turneve europiane dhe jo vetëm. Për herë të dytë brenda dy vitesh, UEFA i ka besuar FSHF-së organizimin e UEFA CFM (Certificate in Football Management), një program shumë i nevojshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.
Por pse është kaq i rëndësishëm ky program dhe kush mund të marrë pjesë?
Pjesëmarrësit në këtë kurs do të jenë jo vetëm punonjës në klubet shqiptare dhe nga administrata e FSHF-së, por edhe nga federatat e tjera. Ky program zgjat 9 muaj dhe të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre në shumë fusha (organizimi i futbollit, menaxhimi strategjik dhe operativ, menaxhimi i vullnetarëve, sponsorizimet, PR, Marketing, eventet etj), teksa objektiv kryesor i CFM është gjithashtu edhe rritja e kapaciteteve menaxheriale të stafeve të federatave dhe klubeve.
Është shumë e rëndësishme që stafi që punon në futbollin shqiptar, qoftë në Federatë, qoftë në klube, por edhe në Akademitë e futbollit, të marrë akoma edhe më shumë njohuri në lidhje me proceset e tjera që lidhen me futbollin dhe që janë jo vetëm organizimi i ndeshjes, por edhe pjesa operacionale, ajo që nuk shihet në organizimin e ndeshjes, që është po aq e rëndësishme sa vetë ndeshja.
FSHF është e interesuar në organizimin e një programi të tillë në Shqipëri, pasi kërkon kualifikimin e mëtejshëm të administratës, teksa është e interesuar edhe të nxisë kualifikimin e profesionistëve që punojnë në klubet shqiptare. Në këtë mënyrë, duke pasur stafe të kualifikuara qoftë në klube, por edhe në administratë, i vetmi që përfiton është futbolli shqiptar.
Programi i CFM (Certificate in Football Management) është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe tani u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s. Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit. Faza e parë e këtij programi, që ka vlerën e një masteri, do të zhvillohet në muajin shtator. /FSHF