Për herë të parë një shqiptar do mbajë për 200 metra Flakën Olimpike në Paris. Këtë të premte, kur jemi një javë larg nga nisja e Lojërave Olimpike, shqiptari Adrian Suka është një nga të përzgjedhurit që do mbajë flakën e ndezur në Olimp.
Suka është një ish-futbollist i Dinamos dhe i kombëtares së Shqipërisë në fund të viteve ’80 dhe më pas i ekipit të Laval-it dhe ish-trajner i Entente Sannois St-Gratien në Francë, i cili është përzgjedhur ndër mbajtësit e Flakës së Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024.
Në një intervistë për emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News, rrëfeu emocionet për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, pasionin për sportin, si dhe zhvendosjen drejt Francës.
“Duke qene ish futbollist, vendimi u bë nga Komiteti Olimpik dhe unë isha një konkurrent aty. Komiteti olimpik më dha të drejtën të vrapoj. Rruga e flakës Olimpike ka nisur nga ishujt e Francës, duke ardhur në Marsejë, Paris. Unë jam në një qytet 8 kilometra larg Parisit. Duke qenë që jam këtu që në vitin 1995, segmenti i vrapimit është 200 metra.
Unë jam larguar në Francë në mars të viti 1991. Kemi luajtur me kombëtaren e Francës, në atë kohë ne nuk kishim as fanella. Unë ndenja me Rudi Vatën dhe kërkuam strehim në Nartë. Pas 3 muajsh kemi gjetur skuadrat tona. Karrierën time në futboll e kam mbyllur para 15 vitesh në qytetin ku unë jetoj.”, u shpreh ai.
/abcnews.al

