“Mbappemania” në Madrid, tifozët nxitojnë të blejnë fanelat e “yllit” të ri

schedule21:16 - 18 Korrik, 2024

schedule 21:16 - 18 Korrik, 2024

Nëse në prezantim ishin 85 000 njerëz, për bluzën e tij radhët janë të pafundme.

Nuk dihet nëse Kylian Mbappe do ta arrijë çmendurinë që ka ndodhur për “yllin” Lionel Messi te Barcelona, PSG apo Inter Miami, por ajo që po shikojmë është jashtë çdo parashikimi, teksa nga Spanja vijnë lajme se fanelat e sulmuesit të ri të Real Madrid janë duke u zhdukur nga shitoret e klubit me shpejtësinë e dritës.

Sipas mediave, që në ditët e para janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë, ndërsa tifozë nga e gjithë bota shkojnë nëpër dyqane për të blerë bluzën e tij me numrin 9.

Ka nga ata që janë italianë, ka nga vende të tjera të Evropës, padyshim edhe nga Spanja, që janë tifozë të Realit. Entuziazmi i tifozëve më të rinj është i tillë që parashikojnë 50 gola nga Mbappe që në sezonin e parë, madje një fëmijë deklaroi se sulmuesi do të realizoië 288!

Përballë kërkesës tepër të madhe për bluza, klubi madrilen njoftoi tifozët se do të ketë vonesa në dërgimin e tyre që shkojnë nga 4 deri në 6 javë, ndërkaq, edhe babai i Kylian u bë personazh, teksa u filmua në shitoren madrilene duke blerë më shumë se 100 fanela të së birit.

Real Madrid po i shet fanellat e kapitenit të Francës me 185 euro copën, fëmijët mund ta blejnë për 130 euro, ndërsa ka edhe një version për bebet që kushton 80 euro. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!