Berisha notë negative Kosovës, Nuhiu: Të mësojmë nga kjo humbje!

schedule23:59 - 14 Nëntor, 2019

schedule 23:59 - 14 Nëntor, 2019

Atdhe Nuhiu i shënoi Çekisë, por në fund Kosova nuk fitoi. Sulmuesi, për Supersport Kosova u shpreh se ndihet keq që Muriqi mungoi. “Jam i gëzuam që më erdhi rasti për të luajtur, por jemi pak të mërzitur për lëndimin e Vedatit. Ai e ka merituar gjithmonë, ka bërë paraqitje të mira. Trajneri më dha besimin dhe mendoj që dhashë maksimumin”.

Më tej ai foli për vështirësinë e takimit me Çekinë: “Për fat shënova, por normal e dinim që Çekia do ishte agresive dhe do na sulmonte prej fillimi. Deri diku luftuam, por ishte ndeshje e vështirë. Të flasim realitetin, ata kanë superlojtarë dhe e meritojnë kualifikimin.  Kjo ndeshje është njëfarë mësimi. Kjo ishte loja e parë me agresivitet. Duhet të mësojmë nga kjo ndeshje. Kemi lojtarë të rinj, të cilët nuk janë mësuar me këto lloj ndeshjesh”.

“Anglia? Prapë do të jetë një ndeshje ku ne të gjithë të shohim përpara. Ardhja e Anglisë është një gjë e mrekullueshme për historinë e shkurtër të Kosovës. Jam krenar për të gjithë, thjeshtë për mundësinë e kualifikimit. Me Anglinë do të jetë sërish festë për historinë e vogël që ka Kosova”, përfundoi Nuhiu.

VALON BERISHA – Mesfushori i Lazios, foli për ndeshjen me Çekinë: “Nuk treguam vetveten, e nisëm mirë pjesën e dytë. Duhet të luftonim për golin e dytë. Çekia luftoi shumë fizikisht dhe fitoi. Nuk e di pse nuk luftuam 100% për njëri-tjetrin dhe gjithë Kosovën. S’di çfarë të them. Pjesa e parë ishte më e dobëta në eliminatore”.

“Goli duhet të na jepte energji, por nuk ndodhi kështu. Humbje shumë e keqe për ne, na vjen keq për tifozët që na mbështetën, ato që erdhën dhe ata që nuk kishin mundësi. Kemi edhe një shans kundër Maqedonisë. Personalisht nuk luajta mirë, edhe unë edhe të gjithë nuk e treguam kualitetin që kemi në fushë. U munduam, por nuk funksionuam ashtu si në ndeshjet e tjera. Vështirë të gjejmë problemin e sotëm. Ndoshta deshëm tepër, por nuk treguam as 50% tonë”. /abcnews.al