“Shqipëria është përkrah NATO-s”, kështu është shprehur kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla gjatë fjalës së saj në Samitin e NATO-s të mbajtur në Uashington me rastin e 75-vjetorit të Aleancës.
Gjithashtu Nikolla shtoi se Shqipëria, si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer si “bashkë-pene-mbajtëse” në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve në mbrojtje të Ukrainës.
Fjala e plotë:
I dashur z. Sekretar i Përgjithshëm,
Të dashur kolegë,
Shqipëria, si një vend anëtar i ri në NATO, është rasti kuptimplotë që provon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, niveli i zhvillimit, historia e jetëgjatësia në Organizatë, por nga angazhimi i sinqertë për paqe, siguri dhe liri.
Ne, shqiptarët, kemi fituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të anëtarëve të tjerë të NATO-s me angazhimin tonë të qëndrueshëm dhe të vendosur në zbatimin e vendimeve të Aleancës.
Një tjetër provë e besimit të Aleancës tek Shqipëria është fakti se pak muaj më parë, më 4 mars, një bazë e re ajrore taktike e NATO-s filloi të funksionojë në vendin tonë.
Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër parlamentet e para të vendeve anëtare të Aleancës që ka ratifikuar protokollet e anëtarësimit të anëtarëve të rinj. Këtë e kemi bërë të udhëhequr nga vizioni që një anëtar i ri është një kontribues më shumë për paqen, sigurinë dhe demokracinë, të cilat mbështesin njëra-tjetrën. Investimi në paqe dhe siguri nuk sjell sigurokraci. Përkundrazi, ai nxit procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Ne, në Ballkanin Perëndimor, e ndiejmë këtë më shumë. Kjo sinergji është më domethënëse atëherë kur kërcënimet e luftës janë të dukshme, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatës në Lindjen e Mesme. Shqipëria, si një vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, ka shërbyer si bashkë-pene-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve në mbrojtje të Ukrainës.
Ne u bashkuam me dhe mbështetëm, sa më mirë që mundëm, veprimet e qarta dhe të shpejta të NATO-s në mbështetje të Ukrainës, veprime që treguan forcën dhe kohezionin e Aleancës. Në librat e shenjtë shkruhet “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar një botë të tërë”. Shqipëria është përkrah NATO-s dhe të aleatëve tanë kryesorë, SHBA dhe BE, e bindur se lufta ndaj terrorizmit, bazave të tyre, mbështetësve të tyre dhe ekstremizmit të dhunshëm, është lufta për jetën.
/abcnews.al/