KLP ka nxjerrë renditjen finale për kandidatët për pozicionin e Kryeprokurorit. KPL ka renditur Olsjan Çelën si të parin.
KLP është mbledhur që në orët e para të mëngjesit. Deri në këto momente KLP po zhvillon mbledhjen e saj për vlerësimin e 3 kandidaturave për Kryeprokuror. Sipas raportimit të gazetares Glidona Daci për abcnews.al, mbledhja është zhvilluar me tone dhe debate të ashpra mes anëtarëve të KLP.
Ndërkohë renditja me pikë sipas vlerësimit të KLP është:
- Olsjan Çela me 459 pikë
- Arta Marku me 406 pikë
- Fatjona Memçaj me 362 pikë
Secili nga prokurorët mund të ankimojë vendimin e KLP në gjykatën administrative për apelin. Por siç parashikohet nga ligji, faza finale për përzgjedhjen e Kryeprokurorit i takon Kuvendit.
Dje KLP në tri seanca maratone dëgjoi programet dhe vizionin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. E para që doli para KLP-së ishte Arta Marku, e cila e nisi fjalën e saj duke folur për të shkuarën dhe eksperiencën e saj.
Marku tha para anëtarëve të KLP-së se nëse zgjidhej Kryeprokurore me mandat të plotë, do të përmirësonte treguesit e punës, do të rriste besimin e publikut në sistemin e Prokurorisë dhe do të punonte për tregues statistikorë të plotë dhe të saktë. Marku iu përgjigj edhe pyetjeve për ndikim, politikë, duke thënë se ajo kishte dhënë prova që është e pandikueshme dhe se të vetmen mbështetje që ka pasur, është ajo e ndërkombëtarëve.
E dyta që doli para Këshillit ishte prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj. Kjo e fundit e kishte mbështetur platformën e saj në monitorimin e punës së prokurorëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të kenë. Më tej, prokurorja tha se roli i Prokurorit të Përgjithshëm është që të sigurohet që respektohet ligji.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ishte i fundit që doli para KLP-së dhe parashtroi platformën e tij. Çela tha se nëse do të ishte Prokurori i Përgjithshëm, do të bënte ndryshime rrënjësore në këtë institucion, duke e bërë më interaktiv, pavarësisht cungimit të kompetencave. Prokurori në programin e tij kishte evidentuar një sërë problemesh, një pjesë i konsideroi si “kronike” të sistemit dhe disa të tjera të krijuara rishtazi. Teksa foli për mosefikasitetin e politikave penale, Çela u shpreh ashpër ndaj punës së bërë nga Prokuroria gjatë kësaj kohe. Në platformën e tij, prokurori i Krimeve të Rënda tha se do të krijonte bashkëpunim me disa institucione dhe se do të monitoronte punën e prokurorëve, ku çdo 4 muaj do të zhvillonte një mbledhje me drejtues të prokurorive./abcnews.al