Eksperti për ekonominë, Adrian Civici thotë se vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit me 0.25 përqind ishte i pritshëm. Në një intervistë për “Money Report’ me gazetaren Genta Dobra, Civici shpjegoi edhe efektet që mund të ketë ky vendim në ekonominë e vendit.
Ai thotë se efektet mund të fillojnë të ndihen më shpejt sa parashikohet. Sipas Civicit, një ndër efektet më të prekshme për qytetarët dhe bizneset do të jetë ulja e përqindjeve të interesit për kreditë e marra në lekë. Ky vendim, sipas tij, do të stimulojë edhe shtimin e përdorimit të lekut në ekonomi.
“Politika monetare, përveç shifrës konkrete të normës bazë të interesit, ka efekt edhe si mesazh që jepet nga bankat dhe mesazhi i uljes së normës bazë dhe fillimi i një trajektoreje zbritëse tregon se efektet e saj mund të fillojnë dhe në mënyrë më të shpejtë se efekti klasik nga 3-18 muaj pasi merren. Kjo është arsyeja pse në shpjegimin e guvernatorit Sejko analizohen me detaje faktorët që kanë çuar në këtë vendimmarrjeje.
Së pari, rezultati pozitiv i rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik, qetësia në tregjet monetare, rritja e nivelit të kreditimit sidomos e kredisë në lekë që shpreh besimin te monedha kombëtare por edhe një prirje të rritjes konsumatore të kësaj kredie për të shmangur kursin e këmbimit. Me një efekt edhe të pashprehur, është edhe fakti që duke u ulur norma bazë e interesit, tregu ka prirje ta shtojë ofertën monetare, që mund të ndikojë në një lloj qetësimi të kursit të këmbimit.
Efekti direkt i pritshëm dhe më i prekshëm nga qytetarët apo bizneset është ndikimi që kjo ketë kjo ulje e normës së interesit ndoshta pas 3 apo 6 muajsh, reflektohet në uljen e përqindjeve të interesit për kreditë e marra në lekë, element pozitiv jo vetëm për ata që marrin kredi që i marrin më të lira por edhe ata që janë në proces kredie shlyrjeje në lekë.“, tha Civici.
“Krahas nevojës për të shtuar rezerva valutore, këto veprime të Bankës së Shqipërisë ka ndikim edhe në zvogëlimin e sasisë së euros në Shqipëri për të stabilizuar kursin e këmbimit ndërsa vendimi për uljen bazë të interesit, stimulon shtimin e përdorimit të lekut në ekonomi, e kredisë si pasojë e normave të interesit më të ulëta dhe bën të njëjtin efekt në sensin e kundërt në favor të stabilizimit të kursit të këmbimit me euro.”, shtoi më tej eksperti./abcnews.al