Si do të hetohen gjyqtarët e prokurorët?/Euralius shpërndan manualin

schedule17:18 - 6 Janar, 2018

schedule 17:18 - 6 Janar, 2018

Euralius, misioni i Bashkimit Europian që asiston Shqipërinë në fushën e drejtësisë, ka shpërndarë një manual për hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bëhet fjalë për një udhëzues mbi hetimin disiplinor të tyre, bazuar në kuadrin e ri ligjor, mbi të cilat do të operojnë organet e reja të drejtësisë.

 

Kalimi me sukses i Vettingut nuk i jep imunitet gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ankesat e mundshme në drejtim të tyre. Ankesat që mund të kenë si autor çdo qytetar, një kompani apo edhe një organ publik të interesuar mund të çojnë gjyqtarët dhe prokurorët deri në hetimin disiplinor. Për të pasur një standard uniform të zbatimit të ligjit misioni i Bashkimit Europian që asiston Shqipërinë në fushën e drejtësisë, Euralius, ka shpërndarë një dokument udhëzues se si do të hetohen disiplinarisht gjyqtarët dhe prokurorët. Manuali synon të mbështesë organet dhe institucionet kompetente në interpretimin dhe zbatimin e kuadrit të ri ligjor të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016. Ai përmban analiza, komente dhe formularë standard për t’i ardhur në ndihmë organeve të reja të drejtësisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Përmes 38 formularëve, Euralius udhëzon këto organe mbi procedurat që duhet të kryhen gjatë hetimit disiplinor.

 

Bazuar në ndryshimet ligjore hetimi disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet nga ana e Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndërsa procedimi disiplinor ndërmerret nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Autorët e manualit kujtojnë se disa prej formularëve duhet të rishikohen me ndryshimet që me ndryshimet që pësuan ligjet e reja pas ankimeve të bëra ndaj tyre në Gjykatën Kushtetuese. Euralius thekson se amendamentet e ligjit “për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve” duhet të jenë prioritet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë./abcnews.al