Votohet qeveria e re në Maqedoninë e Veriut/ Aziri: Stoilkoviç është një pro rus, mbështet sulmin në Banjskë

schedule16:27 - 24 Qershor, 2024

schedule 16:27 - 24 Qershor, 2024

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi mbrëmjen e së dielës qeverinë e re me kryeministër Hristijan Mickoski. Sipas mediave vendase, qeveria e re u votua me 77 pro, 22 kundër, asnjë abstenim, ku koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, partitë nga koalicioni VLEN dhe ZNAM.

Lidhur me këtë ka folur në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, deputeti nga Fronti Evropian, Elmi Aziri, i cili ka thënë se koalicioni shqiptar VLEN nuk ka legjitimitet për të qenë pjesë e kabinetit

Ai ka theksuar se Ivan Stoilkovic, i cili u zgjodh Ministër i Marrëdhënieve Ndërkomuniteteve, se është një pro rus dhe mbështetës i sulmit në Banjskë.

Sipas Azirit, emërimi i këtij individi ka prekur thellë sensin e qytetarëve shqiptarë duke e ditur të kaluarën historike dhe vështirësitë që kanë pasur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Ne e kemi thënë dhe gjatë fushatës dhe pas fushatës, të drejtën për të përfaqësuar qytetarët nëpër institucione të vendit e jep qytetari. E drejta fitohet përmes legjitimitetit, mungesa e ligjitimitetit ta merr të drejtën për të folur ose për të vendosur standarde dhe kritere për të udhëhequr qeverinë.

Ne që në fillimet e fushatës, duke i dëgjuar deklaratat e eksponentëve, nëse vazhdon me këtë ritëm, me këtë përbërje, do të ketë krizë të thellë të ligjitimitetit.

 Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që pas këtyre zgjedhjeve të respektohet legjitimiteti i popullatës së dytë shumicë në Maqedoninë e Veriut, 30% e popullatës shqiptare dhe pakicave të tjera etnike siç janë turqitë, boshnjakët, romët, të cilët ishin të gjithë të grumbulluar drejt Frontit Europian.

Emërimi i personit në fjalë që e keni përmendur ju nuk është ajo që do të duhet t’i ndodhte Maqedonisë së Veriut, nuk është duhura. Personi në fjalë asnjëherë nuk i ka fshehur qendrimet e tija, i ka bërë publike dhe në çdo rast i ka shprehur qendrimet e tij se është pro Rusisë, pro Serbisë, kundër pavarësisë së Kosovës. Ai dhe i përgëzoi terroristët që sulmuan territorin e Kosovës në Banjksë. Ka qendrime që janë në kundërshtim të thellë me opsionet strategjike të Maqedonisë së Veriut siç janë NATO dhe BE, gjithashtu emërimi i këtij individi ka prekur thellë sensin e qytetarëve shqiptarë duke e ditur të kaluarën tonë historike dhe duke e ditur vështirësitë që kanë pasur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për të arritur një kohezion të brendshëm”, u shpreh Aziri./abcnews.al