Rreth 5396 fidanë dhe bimë kanabisi janë asgjesuar në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i pastër”.
Në pyllin e fshatit Gëziq në Mirditë, u gjetën 500 fidanë kanabisi në kubikë. Në pranga u vu 35-vjeçari Maringlen Gjeta dhe në kërkim u shpall vëllai i tij. Për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Gëziq dhe për një 65-vjeçar, specialist pyjesh për zonën e Gëziqit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë gjetur në territorin e fshatit Vinjoll, Kurbin, 288 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vinjoll, 52 vjeçar dhe për një 36-vjeçar, inpektor pyjesh në fshatin Vinjoll.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa. Lidhur me këtë rast, u arrestua një 44-vjeçar. Ndërkohë, u proceduan penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës, dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.
Gjithashtu, shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal, 4167 fidanë dhe 412 bimë narkotike cannabis sativa./abcnews.al