40 gradë: 400 vjeçarët i pret zjarri në bulevard

schedule13:24 - 21 Qershor, 2024

schedule 13:24 - 21 Qershor, 2024

Frrok Çupi

21 Qershor. Jashtë, në rrugë, temperatura ka kaluar 41 gradë Celcius, ndoshta më tepër. Të gjithë po vuajnë. Tek i shikoj që gjuajnë për ndonjë hije ose iu futen kondicionerëve e shatërvanëve të qytetit, them me vete ‘si bëjnë ata’ të tjerët?.

Domethënë ata që janë dërguar për të ndezur zjarre në mes të qytetit, para Bashkisë ose në bulevard. Si do të mbartin zjarr sot këto krijesa, kur po digjet toka? Sot ata ndezën zjarr, hodhën armë molotov me benzinë dhe ndezën goma për herë të 13- të në radhë.

Në këtë temperaturë të lartë ku gjithë njerëzimi po ankohet se na vjen ‘nga natyra’ e nuk kemi ç’i bëjmë. Edhe qindra njerëz që vdiqën sot në Mekë gjatë procesionit fetar, u kthyen në një dhimbje për të tjerët, edhe pse kishin shkuar atje me këmbët e veta, por pa mëkat zjarresh.

Ndërsa ‘në Mekën’ këtu, ca njerëz, ndoshta dhjetë a njëzet, kanë mbartur zjarre me vete për t’i ndezur në mes të sheshit. U dyndën zogjtë, vrapuan qentë, nuk u avitën makina (se punojnë me karburant) dhe u afruan ca turistë kureshtarë; kureshtarë se sa mund të durojë njeriu eksperimental mes temperaturave 40 e ca dhe zjarrit.

Nuk ishte kureshtja mbi njeriun e lashtë, i cili e ndezi zjarrin e parë para 400 e ca milionë vjetësh.

Jo, janë këta. Këta mëkatarë të shumëfishtë: Liderin që i frymëzon e kanë lënë të varur në një dritare në katin e shtatë të një pallati që ka pemë poshtë, por jo lart. Ai rri atje dhe pret lajme nga zjarret. Këta të zjarreve, më shumë shikojnë në drejtimin e ballkonit se sa në drejtimin e Bashkisë që duan ta djegin. Punën e kanë çfarë note do t’u japë ai si zjarrvënës.

Është një mëkat që e bëjnë urdhëruesit e zjarreve, nuk besoj se të gjithë janë zjarrvënës prej vetvetes. Por të paktën sot, në temperaturat mbi 40 gradë Celcius, të paktën sot t’i kishin lënë pa zjarre mbi kurriz; nuk po them që t’u kishin njomur trupin me ndonjë pikë ujë. Këtë të mirë nuk e bëjnë kurrë liderët e zjarrvënies.

Kjo nuk mund të ndodhë, sepse do të prishej ‘magjia’ e revolucionit. Ish lideri trupor e shpirtëror i Partisë Demokratike, që tashmë ndodhet nën arrest me akuzën për zjarrvënie të madhe ndaj demokracisë dhe i akuzuar për korrupsion të madh me gjithë familje, ky ka thënë se ‘revolucioni ynë nuk pyet për kushte moti as morti’. Revolucioni nuk pyet!

Këta erdhën deri këtu përmes zjarrvënies, e si mund ta ndalojnë sot?! Ose si mund të marrin frymë pa flakë e pa tym gomash?!- kjo është pyetja që duhet bërë më mirë. A nuk na vjen të pyesim se si vallë shumë qenie vegjetojnë në errësirë, ose edhe disa krijesa të tjera e kalojnë jetën nën ujë…, atëherë ke zbuluar edhe pse disa njerëz këtu nuk jetojnë  dot pa zjarre dhe tym të zi gomash.

Vite më parë na vinte të besonim se po këta i ndiznin gomat në kryqëzime rrugësh dhe qytete të vendit, me qëllim të mirë: Të ngroheshin pak kalimtarët! Po kur përjeton zjarre në këtë temperaturë mbi 40, atëherë bie dhe kjo tezë ‘mirësie’.

Po atëherë, a mos vallë përjetojnë të njëjtën trajektore entuziazmi që u provua 440 milionë vjet më parë kur njeriu i lashtë shpiku zjarrin?

Ajo është quajtur ‘periudha Siluriane’, e formimit të klimës; ndërsa kjo është periudha e tyre e Revolucioneve- e shkatërrimit të qytetërimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!