NATO është në bisedime për të zhvilluar më shumë armë bërthamore dhe për t’i vënë ato në gatishmëri përballë një kërcënimi në rritje nga Rusia dhe Kina, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës.
Jens Stoltenberg tha se kishte pasur konsultime midis anëtarëve për të përdorur transparencën rreth arsenalit të tyre bërthamor si një pengesë.
“Unë nuk do të hyj në detaje operacionale se sa koka bërthamore duhet të jenë funksionale dhe cilat duhet të ruhen, por ne duhet të konsultohemi për këto çështje. Pikërisht këtë po bëjmë”, tha ai.
“Transparenca ndihmon për të dërguar mesazhin e menjëhershëm se, natyrisht, ne jemi një aleancë bërthamore”, theksoi ai,
“Qëllimi i NATO-s është sigurisht një botë pa armë bërthamore, por për sa kohë që ka armë bërthamore, ne do të mbetemi një aleancë bërthamore, sepse një botë ku Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut kanë armë bërthamore dhe NATO nuk ka, është një botë më e rrezikshme.
Stoltenberg tha javën e kaluar se armët bërthamore janë “garancia e fundit e sigurisë” e NATO-s dhe një mjet për të ruajtur paqen.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar vazhdimisht se Moska mund të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur veten në rrethana ekstreme. Ai akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj europianë se po e shtyjnë botën në prag të konfliktit bërthamor duke i dhënë Ukrainës miliarda dollarë armë.
/abcnews.al