“Këtë vit, presim 2 milionë pasagjerë më shumë”, drejtori i Aviacionit Civil: Në prill kemi pasur fluksin e muajit gusht të 2023-it

schedule20:18 - 14 Qershor, 2024

schedule 20:18 - 14 Qershor, 2024

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj thotë se në 2024, presin rreth 2 milionë pasagjerë më shumë sesa viti i kaluar. Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, ai tha se prilli i 2024-ës ka pasur fluksin e muajit gusht të vitit të kaluar.

“Këtë vit presim rreth 2 milionë më shumë pasagjerë se vitin e kaluar. Nëse në 2023, kapëm 7.25 milionë, këtë vit presim 9.2 milionë pasagjerë përgjatë 2024. Në muajin Prill të këtij viti, kemi pasur trafikun e muajit gusht të 2023, që është muaji më i ngarkuar me operime.”, tha ai.

Ai tha se menaxhimi mbetet një sfidë më vete. Sipas tij, vonesat nga aeroporti i Tiranës janë thuajse zero por shtoi se probleme vazhdon të ketë me disa kompani ajrore.

“Kjo është një sfidë më vete. Zhvillimi i turizmit e kanë aviacionin në shumë sfida. Operimi i kërkesës aktuale është sfida numër 1, ku aeroporti së bashku me AlbControl koordinojnë dhe kërkojnë suport të Eurocontrol dhe deri tani ka dalë me sukses. Vonesat nga aeroporti i Tiranës janë zero por kjo s’do të thotë se s’ka probleme. Probleme kemi me kompanitë ajrore. Vera zakonisht ka vonesa në Evropë. Kjo verë është më e mirë se e kaluara në nivel rrjeti evropian, në Shqipëri është njësoj. Ne kemi gjeneruar zero minuta vonesë. Sa i përket operatorëve ajrorë, vjet ka pasur 6.6 fluturime. Do të thotë që në 100 fluturime, 6 fluturime kishin vonesë ose anulim. Këtë vit ishim në shifrën e 1.9. Do të thotë se jemi më mirë se vjet.

Kompanitë ajrore vijojnë të kenë probleme. Zakonisht që një kompani ajrore të jetë efektive duhet të bëjë tre fluturime në ditë në Evropë, Nëse valën e parë të fluturimit gjeneron vonesa, e dyta i shumëfishon këto vonesa dhe e darkës edhe më shumë. Vonesat e krijuara nga kompanitë ajrore vijnë në valën e tretë. Problemi i dytë i kompanive ajrore është pushimi i stafit. Në Evropë ka rregulla specifike për pilotët, stafin e kabinës dhe inxhinierët. Elementi i tretë janë problemet teknike. Kompanitë që operojnë në Shqipëri kanë flotë avionësh të fundit. Në Evropë dhe botëe një seri e veçantë avionësh të rinjsh kanë probleme, që kërkojnë ekstra kujdes. Kjo do të thotë se një avion i ri, pavarësisht se është i ri dhe është gati të fluturojë, për shkak të këtyre limitimeve teknike, hyn në një kontroll të detajuar.”, u shpreh Et’hemaj./abcnews.al