Nga Zall Bastari ku përuroi urën e re kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ironizoi opozitën që paraditen e të hënës protestoi përpara bashkisë.
“Shikoj ata që djegin goma dhe kanë tetë muaj që nuk e paguajnë ujin, dritat dhe taksat, por shikoj edhe familjet modeste në Zall Bastar që nuk lënë një ditë pa i paguar, aq sa është kontributi, sepse kështu funksionon, secili duhet të kontribuojë dhe pastaj, me këtë kontribut, bashkia duhet ta shpërndaje, që të ketë mirëqenie kudo. Të ulërasësh me të madhe dhe të thuash poshtë taksat, ndërkohë që taksat janë modeste dhe paguhen 100% në Zall Bastar dhe të dalësh si gjel mbi pleh dhe të kesh tetë muaj që nuk paguan ujë dhe drita e taksa, ky është turp i madh”, u shpreh Veliaj.
Me urën e re Zall Bastari afrohet me Tiranën. Distanca shkurtohet me 15 minuta ndërsa kryetari i Bashkisë premtoi të tjerë investime.
“Nuk do presim zgjedhje të tjera për të bërë inaugurime. Çfarë është për t’u bërë, çfarë është fjalë për t’u mbajtur dhe punë për t’u kryer, do ta kryejmë kur është moment i duhur. Tani që kemi kaluar edhe projektin e rrugës së Vilëzës, që është lidhja e fundit e nevojshme për Zall Bastarin, jemi në një situatë më të mirë nga ana logjistike. Gjithmonë e më shumë njerëz në Tiranë ose të huaj, po kërkojnë prona në fshat, po dalin në pension në fshat, po i kalojnë vitet e pleqërisë në fshat. Është vetëm çështje kohe që edhe Zall Bastari të përfitojë nga këto të mira materiale të Tiranës”, tha ai.
Transformimi i infrastrukturës tha Veliaj do të sjellë zhvillimin ekonomik të zonës, ndërsa ftoi banorët e Zall Bastarit ta promovojnë atë.
/abcnews.al/



