PRISHTINË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në konferencën ndërkombëtare me temë “Rugova dhe Perëndimi”, e mbajtur në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, u shpreh se ish-Presidenti Ibrahim Rugova me angazhimin dhe rolin e tij, tregoi se ishte prijësi kryesor i rrugëtimit perëndimor të popullit të Kosovës.
Ai theksoi se liria dhe pavarësia e Kosovës erdhi edhe si pasojë e ndihmës së aleatëve kryesorë, të cilët i përmendi me emra.
“25 vite më parë ne gjetëm lirinë! Ajo na erdh si triumf prej testamenti i përpjekjes së gjeneratave të tëra; erdh si dritë e fundme e paqësorëve të 90-tave, besimi i të cilëve s‘reshti së pushuari kurrë; erdh si altar përjetësie ku pushojnë djemtë e vajzat çlirimtare të Kosovës; erdh si fitore e angazhimit monumental euroatlantik, që në qiellin sipër nesh na shfaqej nëpërmjet fluturakeve të NATO-s. Na vinin nëpërmjet zërave të Bill Clinton, Tony Blair, Javier Solana, Ëesley Clark, Madeline Albright, Jamie Shea, Joshka Fisher, Massimo D’Alema, e përplot liderë e aktorë të tjerë botërorë, që në orët më të rënda tona u gjendën krah nesh! Prandaj jemi mirënjohës përherë. Prandaj u jemi falënderues gjithherë! Liria erdh siç e kishim besuar të gjithë. Kjo konferencë sot, duhet të na shërbejë jo vetëm si rikujtim falënderues, por si skicë dhe si projektim i së ardhmes që duhet ta projektojmë. Ibrahim Rugova është prijës i popullit të Kosovës.”, tha ai.
Ai theksoi se për shqiptarët perëndimi nuk janë thjesht një dëshirë, por është identiteti ynë autokton.
“Për ne, Perëndimi nuk është dëshira jonë, është identiteti ynë autokton”, tha ai.
Në këtë konferencë që ka bërë bashkë shumë personalitete, është i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pritët t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë rasti./ abcnews.al