Aksioni kundër trafikimit të emigrantëve/ Rrumbullaku: 26 të arrestuar, mes tyre edhe një punonjës policie

schedule14:48 - 7 Qershor, 2024

schedule 14:48 - 7 Qershor, 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se janë arrestuar 21 persona në lidhje me aksionin e SPAK kundër trafikimit të emigrantëve.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat, Rrumbullaku u shpreh se mes të arrestuarve është edhe një punonjës policie.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Kombëtare Spanjolle, pas një hetimi intensiv 2-vjeçar në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, realizoi operacionin “NOMADA” për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte kryesisht në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandimit të shtetasve. Në kuadër të këtij operacioni, SPAK dhe GJKKO,  caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 31 shtetas për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij. Në mes të personave të arrestuar është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues. Gjithashtu, për 6 shtetas, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”. Në vazhdimësi të këtij procedimi penal janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, ndërsa në Spanjë janë arrestuar 35 persona. Veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.

Gjatë operacionit u sekuestruan: 7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptop; 15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh. Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke.

Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante. Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”, theksoi Rrumbullaku./abcnews.al