Forcohen kriteret për mikrokreditë/ Nunaj: Vendim i duhur. Banka Qendrore mund të procedojë me kreditë e këqija të rifutura në sistem

schedule14:30 - 7 Qershor, 2024

schedule 14:30 - 7 Qershor, 2024

Banka e Shqipërisë miratoi së fundmi një ndryshim në rregullore ku parashikohet forcimi i kritereve në rastet e revokimit të licensës së shoqërive jo-banka. Këto ndryshime vijnë si masa përforcuese pas skandalit me mikrokreditë nga shoqëritë financiare jo-banka.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, në një intervistë për “Money Report”, tha se vendimi ishte i duhur. Ajo tha se miratimi i kësaj rregulloreje i hap rrugën Bankës Qendrore që të procedojë me të gjitha kreditë e këqija që janë rifutur në pjesën e institucioneve jo bankare.

Ekspertja e ekonomisë thotë se hapi tjetër i radhës duhet të jetë ndryshimi i bazës ligjore ekzistuese për të mbrojtur më shumë konsumatorët.

Miratimi i kësaj rregulloreje i hap rrugë bankës qendrore që të procedojë me të gjithë kreditë e këqija që janë rifutur edhe njëherë në pjesën e sistemit të institucioneve jo bankare. Në këtë rast, tashmë banka e ka të përcaktuar ligjërisht hapin që do të ndjekë. Hapi i dytë në këtë rast do të jetë përmirësimi i bazës ligjore ekzistuese që do të rrisë pjesën e mbrojtjes ndaj qytetarëve. Themi se janë procese në vijim të zgjidhjes së këtyre problemeve që janë aktuale dhe që të mos përsëriten më në të ardhmen. Janë hapa të mirë që po ndërmerren.”, u shpreh Nunaj.

Duke u ndalur te vendimi i Bankës Qendrore Evropiane për të ulur normën e interesit pas pesë vitesh, ajo tha se vendimi ishte i pritshëm për shkak të stabilitetit të ekonomive evropiane.

“Duke marrë në konsideratë se ekonomia në zonën euro është drejt stabilitetit pas krizës së pandemisë dhe postpandemisë, banka qendrore e gjykoi që të bënte ulje të nomrës me 0.25 përqindje për tre elementët bazë. E para lidhet ne uljen e normës bazë për depozitat, e dyta për kreditë, që do të thotë se kreditë bëhen më të lira dhe e treta, lidhet me normën e inflacionit drejt financimeve. Kjo zbritje norme është bërë për të treja dhe kjo ndihmon procesin kreditues.”, shtoi Nunaj.

Ajo shtoi se: “Gjykoj se Banka e Shqipërisë do ta bëjë një ulje të tillë të normave të interesit, duke e mbajtur më pas në gjashtë mujorin e dytë të vitit, nën kontroll për të vijuar më pas nëse do të kemi një ulje të dytë.“/abcnews.al