Uli Hoeness ka zbuluar një detaj në lidhje me shkarkimin e Niko Kovac nga roli i trajnerit të Bayern Munchen. Që raporti i kroatit me një pjesë të titullarëve ishte thyer kjo dihej, teksa presidenti i klubit bavarez e ka konfirmuar në një prononcim për ZDF.
Kreu i gjigantit gjerman tregon se si dy lojtarë të ekipit kërkuan shkarkimin e trajnerit. Emrat e tyre nuk tregohen, por krijimi i pakënaqësive brenda grupit ishte një ndër shkaqet që sollën fundin e aventurës së Niko Kovac te kampionët në fuqi.
“Dy lojtarë na kërkuan që të shkarkojmë trajnerin dhe klubi reagoi në lidhje me rrethanat që ishin krijuar“, thekson 67-vjeçari gjerman. Kovac u shkarkua pas humbjes 5-1 në kampionat kundër Eintracht Frankfurt dhe Hoeness ka deklaruar se trajneri i ri do të zgjidhet brenda 3 javësh. /abcnews.al