Balla nga Lezha: Shqipëria është çertifikuar si një destinacion turistik me siguri mbresëlënëse

schedule10:12 - 6 Qershor, 2024

schedule 10:12 - 6 Qershor, 2024

Ministri i Brendshëm Taulant Balla konfirmoi nga Lezha se Policia Shqiptare ka marrë të gjitha masat jo vetëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik në gjithë vendin, por edhe mbarëvajtjen e sigurisë jashtë territorit të Qendrës Pritëse të Migrantëve që po ngrihet në këtë qark.

“Drejtori i Përgjithshëm i ka miratuar të gjitha ndërhyrjet strukturore dhe po ashtu nevojat për të garantuar sigurinë në perimetrin e jashtëm të këtyre qendrave pritëse. Jam shumë i sigurt që DVP Lezhë dhe Njësia e Posaçme, që krijohet pranë saj, për të trajtuar aspektet e sigurisë në perimetrin e sigurisë së këtij institucioni, do të garantohet me seriozitetin që i takon Policisë së Shtetit”, deklaroi Balla.

Policia duhet të forcojë prezencën në të gjithë territorin, në det, bregdet, apo pjesën që lidhet me Policinë Alpine, pa lënë jashtë fokusit luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

“Sa i përket sezonit turistik, Lezha është shumë e rëndësishme, për shkak të numrit të madh të turistëve që pret. Fluksin e turistëve që mirëpritëm në vitin 2023, duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë edhe gjatë 2024, me fokus të veccantë edhe për sigurinë rrugore. Trafik i madh, presim 14 milion turistë dhe 4.5 milion automjete në rrugët shqiptare. 4.5 milion automjete është realisht një operacion i vështirë për të garantuar rregullin dhe sigurinë në rrugë. Megjithatë unë jam shumë i sigurt që ne do të kemi një sezon turistik të qetë dhe që do ta certifikojë Shqipërinë si një destinacion turistik të sigurt”, nënvizoi ministri Balla, gjatë një takimi me autoritetet policore në Lezhë.

Ministri i Brendshëm ritheksoi arritjet e Policisë së Shtetit vitin e kaluar: “Vitin e kaluar kemi shënuar një rekord historik sa i përket disa prej shifrave kryesore, me të cilat matet puna e policisë. Ajo që duhet këtë vit është të vazhdojmë të ruajmë këtë arritje, ta konsolidojmë, duke certifikuar Shqipërinë si një vend me siguri mbresëlënëse. E vërteta është që nuk e themi vetëm ne, tani e thonë të gjithë të huajt që vizitojnë Shqipërinë, e thonë edhe mediat e huaja, por ajo që na duhet është që të ruajmë këtë arritje historike dhe ta konsolidojmë progresin e bërë deri tani”, u shpreh Balla.

Trajtimi i duhur financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetet një nga angazhimet kryesore në Ministrinë e Brendshme. “Shumë shpejt në ditët në vijim do të pajiseni me kartën e kreditit, përmes së cilës do të tërhiqni pagesat e ushqimit. Gjashtë muajt e parë të vitit 2024 do t’i merrni në mënyrë të menjëhershme, pra të 6 muajt bashkë, dhe pastaj, në secilin prej muajve, duke filluar nga korriku, pagesën e çdo muaji, shtuar këtu dhe faktin që do të kemi edhe një rritje të pagës së punonjësve të policisë, pra do jenë dy të mira në një ditë, siç i themi ne në traditën tone”, theksoi Balla.

Ministri i Brendshëm shprehu gjithashtu gatishmërinë për të zgjidhur një problematikë të vjetër sicc është ajo e orëve shtesë të papaguara: “Po ashtu, falë përpjekjeve të mia, edhe të Drejtorit të Përgjithshëm do të kemi mundësi që të rregullojmë edhe një handicap që ka vijuar prej vitesh, çështja e pagesës së orëve jashtë orarit të punës. Besoj që kemi arritur në një zgjidhje të duhur, duke tejkaluar një pengesë që na kishte vendosur Kodi i Punës. Falë komunikimit të DPPSH e Ministrisë së Brendshme me autoritetet tjera shtetërore, edhe kësaj çështjeje i kemi dhënë zgjidhje”, theksoi Balla.

Ministri i Brendshëm bëri me dije se gjithmonë e më shumë kërkon mbështetje nga qeveria sa i përket Policisë së Shtetit: “ Gjithmonë e më shumë ne kërkojmë mbështetje nga qeveria sa i përket Policisë së Shtetit, por duhet të kuptojmë që qeveria është si një familje e madhe që duhet t’i trajtojë të gjithë, edhe punonjësit zjarrfikës, edhe ushtrinë, mësuesit, infermierët etj. Besoj që jemi në rrugën e duhur për të konsoliduar edhe më tej mbështetjen që duhet t’u japim punonjësve të rolit bazë të Policisë së Shtetit dhe të gjitha niveleve të tjera”, informoi ministri Balla.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!