Nga data 5 deri më 9 qershor, Shkodra po mirëpret edicionin e shtatë të festivalit të filmit “Ekrani i Artit” me vepra të videoartit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmisë e Kujtesës, Qendrën Rinore Arka, Auditorin Françeskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, drejtoresha e fondacionit “Art House”, Melisa Ballata Paci dhe kuratori i Festivalit “Ekrani i Artit”, Roland Sejko, kanë ndarë detaje nga ky edicion i shtatë, filmat e të cilit eksplorojnë skaje të pandashme të ekzistencës njerëzore si vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik.
“Do të ishte për t’u pasur zili për materialet që ka. Përfitoj për të thënnë që dje kur kinemaja u mbush, ishte një emocion i veçantë që e ndjeva dhe unë. Vendi ku do të zhvillohen aktivitet në Shkodër është në qendër dhe mbartin histori.
Ekrani i Artit ka krijuar një seksion të larmishëm në filmat e tij”, u shpreh ndër të tjera Sejko./abcnews.al