Aksi i ri rrugor Thumanë Kashar realizohet plotësisht më 30 qershor. I konsideruar si pjesë integrale e korridorit blu, punimet vijojnë intensivisht për të bërë të mundur përfundimin brenda afatit. Sipas Kryeministrit Rama dhe zëvendëskryeministres Balluku të cilët inspektuan punimet këtë mbrëmje, me përfundimin e këtij segmenti do t’i jepet frymëmarrje qarkullimit në një pikë kritike që prej vitesh ka pritur zgjidhje. Paralelisht me këtë aks do të vijojnë financimet edhe për realizimin e Korridorit 8 Durrës-Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje Perëndim.
Ndërtimi i Aksit thumanë –kashar, pjesë integrale e korridorit blu është drejt përfundimit. Aktualisht është realizuar 95 përqind e punimeve, ndërkohë që puna për ndërtimin e urave, mbikalimeve e nënkalimeve, ka përfunduar plotësisht. Për të parë nga afër punimet në këtë aks mbrëmjen e së mërkurës ishin kryeministri Edi Rama dhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku.
“I kemi thënë afatin firmës ndërtuese, që të jetë data 30 qershor. Jemi duke punuar me 12 shtruese. Pjesa më sfiduese që kemi tani është lidhja e nyjës së Kasharit, që është pjesa e fundit që jemi në fazë konstruksioni, ndërkohë që gjurma prej më shumë se 21 km ka përfunduar gjithë pjesën e stabilizantit.”, tha Balluku.
Aksi Thumanë-Kashar përmbush të gjitha parametrat e sigurisë rrugore, me mbikalime, 11 ura, 12 nënkalime e kryqëzime, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.
Sipas Ballukut paralelisht me këtë aks po vijohet edhe me rrugën Milot-Balldren.
“Jemi gati për të hapur garën për Milot-Balldren, ndërkohë që këto 3 kontrata janë negociuar tashmë dhe janë gati t’u firmosur dhe për të filluar nga puna. Synimi ynë është që menjëherë pas asaj gare (Milot –Balldren) të hapet edhe gara për Balldren –Murriqan, duke e mbyllur kështu Korridorin Adriatiko-Jonian për pjesën e re, që ne kemi nisur. Milot -Balldren hapet në qershor, jemi gati me studimin e fizibilitetit dhe gjithçka tjetër.”, thanë ata.
Kjo është autostradë e parë e kategorisë A. ndërkohë që paralelisht me Korridorin Blu do të vijojnë financimet për realizimin e Korridorit 8 në Durrës – Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje – Perëndim.