EURO 2024/ Kroacia kërkon suksesin e radhës, Dalic: Jemi të motivuar, duam rezultate sa më të mira

schedule21:36 - 4 Qershor, 2024

schedule 21:36 - 4 Qershor, 2024

Janë padyshim “brezi i artë” i futbollit kroat. Që prej verës së vitit 2018, Kombëtarja ballkanase ka arritur të korrë vetëm suksese në arenën botërore dhe atë evropiane, duke arritur të sigurojë medalje argjendi në Botërorin e vitit 2018, vendin e tretë në Botërorin e vitit 2022, si dhe medalje argjeni në edicionin e vitit 2023, të UEFA Nations League.

Padyshim protagonist absolut në këto arritje është edhe ish-tekniku i Dinamos, tashmë i Kombëtares kroate, Zlatko Dalic, i cili u ul në stolin e kësaj përfaqësuese thuajse si një emër i panjohur, por drejtoi këtë ekip në suksese si asnjëherë më parë dhe tanimë, në Euro 2024, ku përballë në grupin B do të ketë edhe “Legjionarët” tanë kërkon suksesin e radhës.

“Këto gjashtë vite të fundit kanë qenë të mbushur me suksese, Tre medalje, askush nuk priste kaq shumë. Të them të drejtën, nuk e prisja as unë kur e nisa. Nuk mendoja se do të zgjatja kaq gjatë në drejtim. Ky është turneu im i katërt, me një brez kampionësh që ndryshon çdo vit. Jam shumë i lumtur, krenar dhe ende i motivuar, por edhe i mbushur me energji, kemi arritur edhe një herë objektivin tonë, të shkojmë në fazën finale të një Evropiani.

Do të ishte fantastike të bënim mirë edhe në këtë turne, por t’i marrim gjërat me radhë hap pas hapi. Objektivi i parë ishte të kalonim fazën në grupe, pastaj do të bëjmë më të mirën tonë, dalëngadalë, por pa u ndalur, që të kërkojmë rezultate sa më të mira”,- u shpreh Dalic gjatë një interviste për mediat kroate.

Ndërkaq, kujtojmë se Kroacia e nisi këtë minifazë përgatitore, për Kampionatin Evropian të futbollit, me një fitore, 3 me 0, ndaj Maqedonisë së Veriut, teksa në sfidën e dytë, më 8 qershor do të përballen me “Luzitanët” e Portugalisë. Në Evropian, Kombëtarja “hrvatska” do e nisë rrugëtimin në grupin B, me përballjen ndaj Spanjës, më 15 qershor në “Olympiastadion” të Berlinit, për të vijuar me sfidën ndaj “Legjionarëve” të Shqipërisë, më 19 qershor, në “Volksparkstadion” të Hamburgut dhe për të mbyllur gjithçka me përballjen ndaj Italisë më 24 qershor, në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut. /i.m /abcnews.al