Akademia e Teknologjisë në One Albania një pikënisje për liderët e ardhshëm të teknologjisë

schedule13:34 - 4 Qershor, 2024

schedule 13:34 - 4 Qershor, 2024

Akademia e Teknologjisë së One Albania (OTA) ka përmbyllur me një ceremoni diplomimi programin e saj dedikuar aftësimit të të rinjve në IT, teknologji dhe siguri kibernetike. OTA është një program akademik që synon kualifikimin dhe profesionalizimin e të rinjve shqiptarë me anë të një qasjeje praktike që promovon njohuritë akademike, aftësitë teknologjike dhe sjelljen etike në vendin e punës. Kjo dritare e re edukative ka krijuar mundësi për angazhimin dhe punësimin e të rinjve në sektorin e teknologjisë.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave, drejtori i përgjithshëm i One Albania, Brano Djurovic tha se Akademia e Teknologjisë One është më shumë se thjesht një program dedikuar zhvillimit; është një pikënisje për liderët e ardhshëm dhe nxitësit e ndryshimeve në industrinë e teknologjisë.

“Akademia e Teknologjisë One Albania synon të ndihmojë të gjithë të rinjtë e talentuar, për të forcuar aftësitë dhe kompetencat e tyre, për të qenë në një hap me kërkesat e epokës digjitale. Sot, ne
festojmë jo vetëm arritjet e të diplomuarve tanë, por premtimin e një të ardhmeje më të ndritur, nxitur  nga talenti dhe vendosmëria e tyre”,- theksoi Djurovic.

Në ceremoninë e diplomimit ishte e pranishme edhe Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila u shpreh se këto iniciativa janë të rëndësishme në mënyrë që të rinjtë e talentuar të kenë akses në një edukim më efikas, e mbi të gjitha më cilësor dhe bashkëkohor. Ajo vlerësoi angazhimin e One për të ndarë ekpertizën me brezin e ardhshëm.

Duke fuqizuar mendjet e reja me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të pasur sukses në një të ardhme digjitale, Akademia e Teknologjisë One është kthyer në një program që inkurajon edukimin praktik, cilësor dhe diversifikues. OTA është një dëshmi e përkushtimit të One Albania për të nxitur një kulturë të të mësuarit dhe zhvillimit të vazhdueshëm.