Nesër provimi i parë i maturës/ Manastirliu: Të garantohet proces i qetë, asnjë tolerancë

schedule13:22 - 2 Qershor, 2024

schedule 13:22 - 2 Qershor, 2024

Rreth 28 mijë maturantë i nënshtrohen të hënën provimit të parë të maturës shtetërore. Një ditë para se maturantët të testohen për gjuhën e huaj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkoi transparencë gjatë takimit me monitoruesit që do të ndjekin nga afër të gjithë procesin e provimeve.

“Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug.”, thotë ministrja.

Puna që është bërë përgjatë këtyre muajve finalizohet me fillimin e procesit të provimit për të gjithë maturantët në vend.

“Për monitorimin dhe administrimin e procesit do të angazhohen më shumë se 2900 punonjës të sistemit arsimor, përfshirë mësues, administratorë provimesh dhe staf të MAS dhe strukturave të varësisë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Gjithashtu janë 230 administratorë për monitorimin dhe vlerësimin e mbarëvajtjes së testimeve në të 144 pikat e provimeve”., tha ajo.

Ministrja e Arsimit vuri theksin te zbatimi me përpikmëri i rregullores së Maturës Shtetërore, duke mos toleruar asnjë shkelje nga administratorët.

“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh.”, tha ajo.

Pas provimit të gjuhës së huaj të hënën e 3 qershorit, më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 18 qershor provimi i matematikës dhe ai me zgjedhje në 24 qershor.

/abcnews.al