Pas urdhër arresteve të Prokurorisë së Tiranës për skandalin e grabitjes së qytetarëve nga subjektet financiare, Banka e Shqipërisë u ka hequr licencën dy shoqërive, “Final” dhe “Micro Credit Albania”. Sipas Bankës Qendrore dy institucionet e mikrokredive nuk plotësojnë më kushtet bazë për të cilën i kanë marrë licencat.
Duke qenë se për ortakët e këtyre dy shoqërive është vendosur masa e arrestit nga Gjykata, Banka e Shqipërisë sqaron se ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, që konsideron që këta persona të mos jenë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe të dënuar penalisht.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.
Për mënyrën se si do të trajtohen në vijimësi portofolat e kredive të dy shoqërive, Banka e Qendrore në vend thotë se do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar.
/abcnews.al/