Lucas Paqueta është padiskutim një nga lojtarët më të mirë të Milanit. Ylli brazilian nuk pati raporte të mira me ish-trajnerin Giampaolo, por që nga ardhja e Piolit në krye të kuqezinjve, po gjen minutat e duhura. Megjithatë, zërat e merkatos ende e çojnë larg Milanit, pasi PSG ka shfaqur interes për shërbimet e mesfushorit.
22-vjeçari ka kualitet dhe PSG e shikon si futbollistin e duhur për të luajtur pas treshes së frikshme të sulmit. Agjenti i Paqueta, Eduardo Uram, foli për mediet italiane sot, ku ka hedhur dritë mbi të ardhmen e klientit të tij.
“Ndoshta Leonardo do ta marrë te PSG, por deri më tani, nuk më ka kontaktuar njeri. Paqueta dhe të gjithë lojtarët e Milanit janë të fokusuar te sfida kundër Juventusit, pasi ai është fokusi primar për momentin”, tha mes të tjerash Uram./abcnews.al