Situata hidrike në vend ka përmirësuar ndjeshëm prodhimin e energjisë elektrike. Vendi ka regjistruar bilanc pozitiv të energjisë në tremujorin e parë duke prodhuar më shumë sesa konsum.Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike në periudhën janar-mars janë prodhuar rreth 2.47 milion Mwh energji elektrike ndërkohë që konsumi ka qenë vetëm 2.1 milion mëh. Konsumi ishte 11.2 për qind më i ulët duke vijuar ecurinë pozitive që solli situata hidrike. Nisur nga kjo Shqipëria ka eksportuar sërish energji elektrike.
Në faqen zyrtare të Korporatës Elektorenergjitike Shqiptare është publikuar procedura e zhvilluar për periudhën 22 deri në 24 maj ku është shitur energji në vlerën e 1.5 milion eurove. Energjia elektrike është shitur me dy lote dhe me një çmim që varion nga 73 në 86 euro për megavator.
Për shkak të reshjeve të shumta të rëna gjatë muajve të fundit kaskada e Drinit ka regjistruar një nivel rekord. Nga të dhënat e ERE rezulton se niveli i ujit është rreth 10 metra mbi nivelin mesatar të regjistruar ndër vite.
Ndërkohë që niveli i ujit rezulton se ka arritur në 296 metra mbi nivelin e detit që konsiderohet si kuota maksimale për Kaskadën e Drinit. Vetëm brenda pak javësh niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rritur me më shumë se katër metra.Ky nivel është mjaft pozitiv duke marë parasysh faktin se ndodhemi para stinës së verës gjatë së cilës reshjet janë të pakta.