Ishte mëse e pritshme. “Pulëbardhat” e Brighton kanë zyrtarizuar këtë të shtunë largimin e teknikut italian Roberto De Zerbi, teksa ndeshja e së dielës, ndaj “Djajve të Kuq”, të Manchester United do të jetë e fundit për strategun, i cili ngjiti skuadrën në majat e futbollit anglez.
Largimi i De Zerbi është bërë me dije nga vetë klubi, të cilët me anë të një komunikate zyrtare kanë njoftuar se palët kanë arritur marrëveshjen për ndërprerjen e kontratës, e cila kishte vlefshmëri deri në verën e 2026-ës, teksa bashkë me italianin largohen edhe ndihmësit e tij.
“Roberto De Zerbi do të largohet nga Brighhton në fund të sezonit. Ndeshja me Manchester United do të jetë e fundit e tij në stol dhe më pas do të jetë i lirë për të nisur një tjetër kapitull të karrierës së tij si trajner”,- thuhet ndër të tjera në komunikatën e Brighton, ku vlerësohet edhe puna e mirë që italiani ka bërë gjatë thuajse dy viteve në stol.
Nga ana tjetër vetë tekniku italian ka deklaruar se ndihet i trishtuar që po largohet nga Brighton, por edhe krenar për punën e bërë dhe arritjet me klubin gjatë kësaj periudhe, ndërsa mediat britanike, por edhe ato italiane bëjnë me dije se sezonin e ardhshëm gjasat janë që De Zerbin ta shohim te “gjigantët” e Bayern Munich. /i.m /abcnews.al