Në Ksamil sezoni turistik ka nisur më herët këtë vit edhe pse moti ka qenë i paqëndrueshëm dhe i shoqëruar me shi.
Turistët britanik dhe francez kanë qenë të parët që i kanë dhënë jetë qytezëz bregdetare, në fazën e parë të sezonit për industrinë turistike atje.
Nezvad Salihi administrator i një prej subjekteve turistike thotë se ky vit ka nisur i mbarë, dhe pritshmëritë e operatorëve janë që 2024-tra të jetë një vit turistik më i mirë se i shkuari.
“Sezoni ka nisur mjaft bukur, duke pasur parasysh që ka nisur shumë herët këtë vit, problem kemi pasur pak motin këto ditë, por do të rregullohet. Deri në këto momente turistet i kemi pasur britanikë, francezë dhe gjermanë. Të cilët i konsiderojmë si pushuesit më të mirë sepse ata dëshirojnë cilësi në ushqim dhe pamje të bukura të cilat ne ua garantojmë.”
Fluksin e turistëve operatorët e presin në qershor ndërsa çmimet rezultojnë se kanë pësuar një rritje të lehtë.
“Ne i kemi marre masat për gjithë fluksin, që nga qershori presim fluksin më të madh të pushuesve. “për çmimet në raport me vjet, vërtet janë rritur në një përqindje shumë të vogël, por kjo ka shkuar paralel edhe me rritjen e pagave të stafit dhe standardin e shërbimit, prapë klientët mbeten të kënaqur”
Për vetë turistët e huaj Ksamili ka natyrë të magjishme, ndërsa çmimet i konsiderojnë të lira krahasuar me ato në vendet e tyre.
“Jam nga Franca, jam me pushime këtu. Do të qëndroj për 1 javë këtu, gjithçka duket bukur dhe mirë. Me pëlqen plazhi dhe perëndimet këtu. Ndërsa ushqimi më pëlqen më shumë se çdo gjë tjetër këtu dhe çmimet krahasuar me Francën janë më lire këtu, për shembull pica këtu është 7 € ndërsa në Francë është 15 ose 18€”. Kam ardhur këtu për herë të parë, do të rri 7 ditë, kam vene re që sa më larg detit çmimet janë më të lira ndërsa afër detit pak më të shtrenjta, por sërish është mirë, nuk mund të themi që është shtrenjtë.”
Qyteza e tre ishujve dhe plazheve me ujëra të pastërta, pritet që edhe këtë vit të jetë qendra e turizmit në bregdet. /abcnews.al