Shqipëria ka pezulluar pjesërisht marrëveshjen për heqjen e vizave me Bjellorusinë. Vendimi është marrë të mërkurë nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes do të shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
Vendim për pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet këshillit të ministrave të republikës së shqipërisë dhe qeverisë së republikës së bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
- Pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.
- Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.