Polonia do të ndajë rreth 23.41 milionë euro për të forcuar sigurinë e brendshme të shërbimit të inteligjencës për shkak të kërcënimit rus, tha këtë të martë kryeministri i vendit Donald Tusk.
Varshava pretendon se është vënë në shënjestër nga shërbimet e inteligjencës ruse për shkak të rolit të Polonisë si një qendër shpërndarjeje për furnizimin me armë në Ukrainë.
Reuters raporton se kjo frikë mes zyrtarëve në Varshavë është rritur pasi një gjykatës që kishte akses në sekretet ushtarake dezertoi në Bjellorusi javën e kaluar.
“Kam vendosur të lë mënjanë 23 milionë euro nga rezervat e kryeministrit për të forcuar sigurinë e brendshme dhe shërbimin e inteligjencës”, tha Tusk në një konferencë për shtyp.
Ai theksoi se pret që përpjekjet ruse për të destabilizuar Evropën, dhe veçanërisht vendet baltike, do të intensifikohen përpara zgjedhjeve evropiane në qershor.
Sakaq, shtoi se nuk ka indikacione se zjarret e fundit në Poloni ishin rezultat i punës së forcave të jashtme, por se forcat polake kishin parandaluar më parë përpjekje të shumta sabotazhi.
“Në dhjetë javët e fundit, gjithashtu falë mbështetjes së aleatëve tanë, Polonia ka penguar sabotazhet dhe përpjekjet për zjarrvënie”, tha Tusk./abcnews.al