SHQIPËRI- Të gjitha bizneset në vend duhet të bëhen pjesë e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin I cili parashikon ngritjen e një strukture që do të trajtojë problematikat e bizneseve sipas rajoneve.
Në draft theksohet se regjistrimi në Dhomën Ekonomike Kombëtare është i detyrueshëm për të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me përjashtim të subjekteve që janë të regjistruara në një Dhomë apo urdhër profesional të krijuar me ligj të veçantë.
Ndërkohë që për subjektet tregtare, biznes i vogël, është parashikuar që të paguajnë një tarifë vjetore regjistrimi në vlerën 1000 (njëmijë) lekë.
Ndërsa tarifa vjetore e regjistrimit, për subjektet e tjera tregtare sipas kategorive përkatëse, vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare bazuar në kriteret e përcaktuara në statutin e Dhomës Ekonomike Kombëtare. Anëtarët e Dhomës Ekonomike Kombëtare paguajnë tarifën vjetore të regjistrimit brenda datës 30 prill të çdo viti. Nga momenti i hyrjes në fuqi i ligjit, për vitin e parë subjektet tregtare nuk do të paguajnë tarifë.
Në projektligj është parashikuar që brenda Dhomës Ekonomike Kombëtare të ngrihet edhe një strukturë kompetente për shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat rrjedhin nga një marrëdhënie juridike e caktuar, që kanë lindur ose që mund të lindin ndërmjet subjekteve tregtare vendase dhe/ose të huaja, në përputhje me ligjin për arbitrazhin.
Hartimi i këtij projektligji erdhi si nevojë për të pasur një dhomë ekonomike publike gjithëpërfshirëse dhe të fuqizuar financiarisht, ku gjejnë përfaqësim të gjitha kategoritë e biznesit, të cilat organizohen në nivel qendror dhe rajonal.
Ky projektligj ofron një model kontinental të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Ekonomike Kombëtare, që ngjason me dhomat në vende të tjera si Austria, Italia, Kroacia, Greqia, Gjermania dhe Serbia.