Një gjykatës polak që kishte qasje tek sekretet ushtarake, i cili kërkoi azil politik në Bjellorusi, nuk do të ketë më imunitet, sipas vendimit të një gjykate polake.
Dezertori Szmydt i ka mohuar akuzat për spiunazh, duke thënë se ai nuk ka thyer asnjë ligj polak apo evropian.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Bjellorusisë njoftoi se Presidenti Alexander Lukashenko ka thënë se do të shqyrtonte kërkesën e zotit Szmydt për azil dhe se i kishte siguruar atij roje personale.
Që nga mbërritja në Bjellorusi, zoti Szmydt ka dhënë intervista për televizionet shtetërore të Rusisë dhe Bjellorusisë, duke thënë se ishte detyruar t’i largohej persekutimit politik në Poloni nga një qeveri që është nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara dhe që synon të fillojë një konflikt me Moskën dhe Minskun.
Polonia hedh poshtë pretendimet
Zyrtarët polakë i kanë hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar si propagandë absurde që e rrisin peshën e akuzave se ai punonte për zbulimet e huaja. Dy forcat kryesore polake kanë akuzuar njëra-tjetrën për ngritjen misterioze të gjykatësit në postet më të larta të drejtësisë.
Fillimisht, gjykatësi tërhoqi vëmendjen e publikut në Poloni për rolin e tij në një skandal që çoi në dorëheqjen e një zëvendësministri të drejtësisë në vitin 2019.
Ai ishte pjesë e një grupi që akuzohej se kërkonte të diskreditonte gjyqtarët kritikë ndaj reformave në drejtësi të qeverisë së partisë Ligj dhe Drejtësi, duke përhapur thashetheme në media për jetën e tyre private. Në një dokumentar televiziv të vitit 2022 ai zbuloi detaje rreth pjesëmarrjes në atë grup. /VOA