Oficerët e policisë gjermanenuk mund t’u besonin syve kur ndaluan një furgon Mercedes me targa suedeze që sapo kishte kaluar kufirin gjermano-polak në mbrëmjen e vonë të shtatorit 2023. Furgoni drejtohej nga një djalë 15-vjeçar sirian. Në bagazhin e furgonit – 7 refugjatë sirianë dhe jemenas që kontrabandoheshin në Gjermani.
Djali sirian nuk ishte i panjohur për autoritetet në Gjermani: ai erdhi si refugjat pa prindër apo të afërm në moshën 13-vjeçare dhe jetoi në një institucion për të mitur në Thyringji për dy vjet.
Pas regjistrimit në qendrën e pritjes, këta të mitur të pashoqëruar shpërndahen në të gjithë vendin. Zyra për të miturit u siguron atyre strehim, kujdes dhe kontroll. Kjo është shpesh e suksesshme, por jo gjithmonë – kështu që fëmijët dhe të rinjtë zhduken nga këto ambiente. Shpesh ata zhduken plotësisht nga radarët e autoriteteve dhe atë në të gjithë Evropën.
Mangësitë kryesore në mbledhjen e të dhënave
Aktualisht, 51.433 refugjatë të mitur janë të zhdukur në të gjithë Evropën. Vetëm tre vjet më parë, ky numër ishte rreth 18.300. Gjatë kësaj periudhe, numri i të miturve të zhdukur është rritur ndjeshëm edhe në Gjermani – nga 724 në 2021 në 2005 sot.
Ky është rezultati i një investigimi ekskluziv të rrjetit gazetaresk europian “Lost in Europe”, ku bëjnë pjesë media belge “De Standaard”, holandeze “NRC”, italianja ANSA dhe rbb24 Recherche nga Gjermania.
Hulumtimi nxjerr në pah mangësi të konsiderueshme në mbledhjen e të dhënave për refugjatët e mitur të zhdukur. Nga autoritetet kompetente në 31 vende evropiane, të cilat përveç 27 anëtarëve të BE-së dhe Moldavisë, Norvegjisë, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe – vetëm 15 iu përgjigjën pyetjeve të rrjetit kërkimor.
Ndërsa disa vende si Italia dhe Austria raportojnë shifra veçanërisht drastike, me më shumë se 20.000 fëmijë dhe të rinj të zhdukur, të tjera, si Spanja apo Greqia, nuk mbledhin asnjë informacion për fëmijët dhe të rinjtë e pashoqëruar.
Komisioni i BE-së flet për një sistem “të prishur”
Aktualisht në BE nuk ka rregullore për regjistrimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi fatin e të miturve refugjatë të pashoqëruar. Komisionerja përgjegjëse e BE-së për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, suedezja Ilva Johansson, nuk mund të komentojë numrin shumë të madh të refugjatëve të rinj të zhdukur. “Nuk e kam idenë nëse shifrat tuaja janë të sakta. Mund të them se kemi një sistem të prishur migracioni në Evropë”, thotë ajo në një intervistë ekskluzive për rbb24 të Gjermanisë.
Kur refugjatët e mitur zhduken nga strehimoret nën mbikëqyrjen e autoriteteve, ata duhet të regjistrohen si persona të zhdukur. Disa rishfaqen, pas disa ditësh, në një qytet tjetër, në një komunë tjetër.
Në Gjermani, ekspertët supozojnë se shumë largohen nga objektet ku janë të strehuar, sepse janë të pakënaqur me kohëzgjatjen e procedurës, shpresojnë për ndihmë më të shpejtë në vende të tjera ose duan të qëndrojnë me të afërm apo miq në vende të tjera evropiane. Policia gjermane e konfirmon këtë supozim.
Hulumtimet në të gjithë Evropën tregojnë: arsyet e zhdukjes së të miturve shpesh nuk mund të përcaktohen saktësisht as në vende të tjera. Një nga arsyet është se shkëmbimi i të dhënave brenda-evropiane shpesh nuk funksionon.
Strukturat gjermane janë të mbingarkuara
Në Gjermani, strukturat janë aktualisht shumë të mbingarkuara, thotë Helen Sundermeier nga Shoqata Federale Gjermane për Refugjatët e Pashoqëruar (BumF). “Vëmë re se shumica e të rinjve zhduken që në fillim, kur mbërrijnë. Në këtë fazë, standardet e mbikëqyrjes janë ulur për të siguruar kujdesin përkundër mungesës së stafit.
Mbipopullimi i strukturave shoqërohet me të dhëna jo të plota për vendndodhjen e të miturve. Pasojat mund të jenë të rënda për të miturit, paralajmëron Teresa Kajl nga Fondi Gjerman i Fëmijëve (Deutschen Kinderhilfswerk). “Kur fëmijët konsiderohen të zhdukur, duhet nisur nga fakti se ata janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të caktuara, se mund të bien në duart e organizatave kriminale, që shfrytëzohen apo përjetojnë abuzim seksual. Ne dimë për raste të tilla”.
Ashtu si 15-vjeçari sirian, i cili u arrestua nga policia në shtator. Sipas një raportimi të gazetës, ai dyshohet se dëshmoi në gjykatë se ishte rekrutuar nga kontrabandisti që e solli në Gjermani dy vjet më parë.
Sipas Helen Sundermayer, një nga arsyet që një rekrutim i tillë ka sukses është mungesa e perspektivës me të cilën përballen shumë refugjatë të rinj në Gjermani. “Aktualisht, kujdesi është i dobët në shumë vende dhe ka shumë njerëz që nuk janë profesionistë, të cilët nuk kanë as kohë dhe as burime për të ofruar udhëzime për të miturit në një situatë të tillë, të rinjtë mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ofertave dhe premtimeve të dyshimta se do të spërblehen me para.
Regjistrimi më i lehtë
Komisionerja evropiane Johansson sheh rrezikun që “refugjatët e mitur të pashoqëruar të bëhen viktima të trafikantëve të qenieve njerëzore kur këta të mitur janë tashmë në BE”.
BE po punon për të futur një sistem të unifikuar regjistrimi për të miturit e pashoqëruar. Kjo nuk e zgjidh problemin e fëmijëve aktualisht të zhdukur. Por vendet e BE-së duhet të krijojnë kushte më të mira dhe ta bëjnë më të lehtë gjetjen e personave kontaktues si dhe kujdestarëve.
Por, deri më tani, vetëm një pjesë e vogël e rregulloreve të planifikuara është miratuar. Votimi përfundimtar është në maj. Më pas, shtetet anëtare do të duhet të përfshijnë rregulloret e reja në legjislacionin e tyre kombëtar. “Të 27 vendet kanë premtuar se do ta bëjnë këtë”, thotë komisionerja e BE-së, Ylva Johansson./dw