Presidenti i Republikës nuk e zgjodhi gjyqtarin e tij të dytë Kushtetues, por i dërgoi një letër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke i kërkuar të pezullonte procesin. Meta citon Kushtetutën, ku thotë se ai duhet të zgjedhë pasi Kuvendi të ketë votuar emrin e vetë.
Kreu i shtetit kërkon bashkëpunim mes KED-së, Presidencës dhe Kuvendit për këtë proces. Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese has në një ngërc të ri.
Presidenti i Republikës, në përfundim të afatit për të zgjedhur gjyqtarin e tij të dytë Kushtetues, pas Besnik Mucit, refuzon ta bëjë këtë, dhe i kërkon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të pezullojë procesin.
Presidenti kërkon që ai të zgjedhë emrin e tij të dytë, pasi Kuvendi të ketë votuar gjyqtarin e vetë. Kjo është një radhë që e përcakton Kushtetuta, por, mos koordinimi i institucioneve i vendos palët në një përplasje për afatet.
“Pa një bashkëpunim midis organeve të përfshira në procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese (KED-President-KED-Kuvend), ky proces nuk mund të përmbyllet në përputhje me nenin 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës si dhe parimeve të hartuara nga jurisprudenca e vetë Gjykatës Kushtetuese”.
Si presidenti, ashtu edhe Kuvendi, në vakandat e tyre kanë të njëjtët emra të kualifikuar: Arta Vorpsin, Elsa Toskën dhe Fjona Papajorgjin. Diferenca e vetme është se në vakancën e tij, Ilir Meta ka edhe një kandidate të 4-të, poshtë vijës së kualifikimit, të cilën nuk mund ta zgjedhë: Marsida Xhaferllarin.
Nëse Kuvendi zgjedh i pari, atëherë një prej emrave të Metës largohet nga lista, dhe krijon mundësinë e interpretueshme që edhe Xhaferllari të kualifikohet dhe përfshihet në mundësitë e zgjedhjes nga Presidenti./abcnews.al


