Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, foli edhe për zgjedhjet.
Megjithatë Veliaj u fokusua tek projektet që sipas tij kanë më shumë rëndësi për Tiranën, duke thënë se qyteti po transformohet përfshi edhe piramidën që sot siç u shpreh Veliaj, është një hapësirë e transformuar për të ardhmen e qytetit dhe jo për të kaluarën.
Pjesë nga intervista;
Pyetje: Erion, sigurisht është herët për të folur sot, 2027 është ende larg, ju nuk keni më të drejtë të kandidoni për bashkinë e Tiranës nga pikëpamja kushtetuese për 2027, sigurisht zgjedhjet e ardhshme, nëse do jenë të rregullta do jenë në 2029, në këtë pjesë vakumi të themi të funksioneve tuaja si drejtues shtetëror, apo si përfaqësues politik i pazgjedhur, se jeni i pazgjedhur në atë kohë, si keni menduar ta konsumoni këtë pjesë?
Veliaj: Një përvojë e kam nga 2013 kur nuk kisha nevojë për spaleta për të qenë aktiv dhe kontribues, por di të them që në dallim nga ajo kohë tani kam edhe disa përgjegjësi të tjera në familje. Djali im është atje në sfod, siç e vure re pas kamerave, do jetë kohë që t’i kthejë pak kohë familjes, Ajolës, djalit. Është bërë 5 vjeç, detyrohem ndonjëherë ta marr me vete në punë apo në ambient pune për të kaluar qoftë edhe ato pak minuta në një vend që jo vetëm nuk ta fal suksesin shumë kollaj, por edhe kohën apo privatësinë e familjes nuk ta respekton jashtë mase. Por siç thash, shumica e vendit janë njerëz që duan punën dhe duan të ecin përpara, njerëz familjarë dhe që besojnë te puna dhe betejat që duhen bërë për këtë qytet. Ajo pakicë, që i jep namin e keq këtij vendi do mbesë gjithmonë pakicë, dhe unë them sa më shumë, emancipohemi aq më pak do bëhen. Kështu që ato dy vite nëse do i quajmë pauzë..
Nëse do jenë pauzë..
Veliaj: Do jenë njësoj aktive si të gjitha vitet e tjera. Ndoshta pa vulë e pa firmë, por me më shumë borxh për t’i kthyer Kait dhe time shoqe.
Pyetje: Jo më kot e zgjodha vendin këtu sipër, një është simbol i qytetit, por është edhe një nga vendet më të larta të Tiranës së vjetër. Ky ka qenë pas pesëmbëdhjetëkatëshit, vendi më i lartë i aksesueshëm nga njerëzit e thjeshtë pas vitit 1991 dhe këtu më kujtohen dy gjëra, librat për alpinistët që thonin, ‘pjesa më e vështirë nuk është pjesa ku ngjitesh, por kur zbret. Sepse kur ngjitesh ke entuziazmin, por entuziazmit i mbaron oksigjeni, dhe pjesa më e vështirë është kur ti kur zbret të duket më e lehtë, por nuk është pasi nuk ke më oksigjen, shto këtu edhe shprehjen britanike ‘the higher you go, the harder you fall”
Metafora është e një qyteti që po transformohet përfshi edhe piramidën ku jemi. Ka qenë piramidë e një faraoni që u transformua në një mumje. Sot është një hapësirë e transformuar për të ardhmen e qytetit jo për të kaluarën. Nuk po lëvdohet e kaluara, celebrohet e ardhmja dhe kur mendon që poshtë nesh janë 1600 fëmijë që kodojnë, dhe që këtë e kanë falas nga Bashkia e Tiranës, a thua se është një e drejtë e njeriut dixhital, një e drejtë digjitale e njeriut, pra siç ke të drejtën për arsim e për vaksina ke edhe të drejtën për të marrë arsim digjital për punët e të ardhmes, reflekton që kjo ambicie të ka transformuar qytetin jo vetëm nga ana e urbanistikës. Por kur mendon që sot 25 përqind e outputit ekonomik të Tiranës është turizmi dhe IT, pra njerëzit mbi dhe vërdallë piramidës dhe njerëzit brenda piramidës, them që PO, kjo është një metaforë shumë e bukur, jemi vërtetë lart me Tiranën sot dhe dhëntë Zoti që Tirana kurrë të mos ulet asnjë shkallë por të vazhdojë lart e lart e lart. Sa të jem unë aty do sigurohem që kjo të ndodhë përditë.
/abcnews.al/