VIDEO/ “Krishti u ngjall”, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën

schedule07:15 - 5 Maj, 2024

schedule 07:15 - 5 Maj, 2024

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë festën e Pashkës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e të krishterëve, e cila simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit. Në meshat e mbajtura në mesnatë në kishat e qyteteve, besimtarët u lutën për më shumë paqe dhe mirësi mes tyre.

Me shprehjen “Krishti u ngjall”, besimtarët festuan atë që njihet si moment i veçantë i besimit, ringjallja e Krishtit tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, një simbolikë për rilindjen e shpresës, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen e çlirimin nga mëkati, përmes forcimit të besimit tek Zoti.

Korçë, qindra besimtarë u mblodhën në katedralen “Ringjallja e Krishtit” në qendër të qytetit, i cili ka krijuar një traditë të veçantë në festimin e kësaj dite. Metropoliti, në mesazhin e tij të mbajtur në shesh para besimtarëve, uroi që drita e pashkës të ndriçojë zemrat dhe mendjet e njerëzve.

“Ngjallja sjell tek ne një mënyrë të menduari dhe të jetuari, një ndryshim tërësor me te ne dhe njerëzit të dashur vëllezër dhe motra, ngjallja e Krishtit, të përqafojmë dhe falim njëri-tjetrin në çdo gjë dhe ta pranojmë këtë dhuratë të mrekullueshme me mirënjohje dhe falenderim të thellë.”, tha ai.

Vlorë, mesha u drejtua nga At Konstandin Prifti ndërsa besimtarët kanë marrë flakën e shenjtë që simbolizon dritën. Mesha u mbajt edhe në kishën e Nartës, një nga zonat ku Pashkët kanë një vëmendje të veçantë nga besimtarët. Dhjetëra besimtarë të Nartës kanë mbërritur edhe nga Greqia për të festuar se bashku me të afërmit e tyre.

Edhe në Gjirokastër, shumë besimtarë ortodoksë morën pjesë në meshën për ringjalljen e Krishtit. Ata ndezën qirinj për të çuar në shtëpi dritë si simboli i kësaj feste.

Edhe në Fier, u mblodhën qindra qytetarë. Në meshën e mesnatës morën pjesë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kryebashkiaku Armando Subashi. Më pas qytetarët ndezën qirinj dhe festuan me fishekzjarre.

/abcnews.al