Ka rënë në prangat e policisë 17-vjeçari Leo Zeqiri që shkaktoi aksidentin me një viktimë në Durrës. Mësohet se ai u arrestua në banesën e tij, pas negocimit me familjarët.
17-vjeçari pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes dhe qendroi i fshehur. Ndërkohë, këtë të shtunë shkoi në banesë dhe policia e arrestoi.
Pasditen e së premtes,17-vjeçari teksa drejtonte makinën me shpejtësi të lartë humbi kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.
Gjatë devijimit, automjeti fillimisht aksidentoi për vdekje një biciklist, një këmbësorë, një motor dhe një automjet të parkuar, për tu përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.
Njoftimi i Policisë:
Kapet dhe vihet në pranga autori i aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, në lagjen 14/1, ku humbi jetën një shtetas 50 vjeç.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të patrullës së përgjithshme, si rezultat i kontrolleve për kapjen e autorit të aksidentit të ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 17:30, në lagjen 14/1, ku u përplasën automjeti me drejtues shtetasin L. Z., motomjeti me drejtues shtetasin Sh. S. dhe biçikleta me të cilën lëvizte shtetasi F. Gj., mundësuan kapjen dhe vënien në pranga të drejtuesit të automjetit, shtetasit L. Z., 17 vjeç, banues në Durrës.
Si pasojë e këtij aksidenti, humbi jetën shtetasi F. Gj..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit” ,”Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vëndi i aksidentit”./abcnews.al