Emocione por asnjë fitues në duelin Atalanta-Manchester City. Rahem Sterling zhbllokoi shifrat në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro” që në minutën e shtatë. Goli i katërt kundër ekipit italian për sulmuesin anglez.
Gabriel Jesus mund të kishte mbyllur ndeshjen në fund të pjesës së parë, por gaboi nga pika e penalltisë. Gjimshitit (u aktivizua si titullar) me shokë i bëri mirë pushimi dhe barazuan menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Gomez krosoi bukur në zonë dhe Mario Pasalic nuk gaboi përballë Claudio Bravos (zëvendësoi Edersonin e dëmtuar në pushim).
“Cityzens” mbetën me një lojtar më pak në minutën e 81-të. Portieri Bravo gaboi dhe në portë u fut mbrojtësi Walker për minutat e mbetura. Pavarësisht insistimit të Atalantës, ndeshja nuk pati më gola dhe u mbyll në barazim 1-1.
Tottenhami ka arritur të sigurojë një fitore me aromë kualifikimi. 0-4 fituan djemtë e Pochettinos në Beograd përballë Crvena Zvezdës vendase, të cilën e mposhtën edhe në shtëpi 5-0. Lo Celso gjeti golin e parë me Spurs në pjesën e parë, teksa në të dytën mendoi Son Heung-Min për të mbyllur ndeshjen.
Lojtari aziatik tronditi tifozët e Crvenës me anë të një dygolëshi të shënuar brenda 4 minutave. Dedikimi ishte për Andre Gomes, të cilin e dëmtoi në ndeshjen e fundjavës në kampionat. Koreano-jugori nuk festoi dhe zgjodhi t’i kërkonte ndjesë portugezit të pafat.
Emocione, gola dhe dramë në Zagreb. Dinamo Zagreb ishte pranë fitores, por Shakhtar shënoi dy herë në minutat shtesë dhe përballja u mbyll 3-3. Ekipi ukrainas kaloi i pari në avantazh në minutën e 13-të, por kroatët përmbysën gjithçka me tre gola të shënuar. Goli i Tete nga pika e penalltisë në minutën e shtatë shtesë i dhuroi një pikë të artë miqve. /abcnews.al
Atalanta – Manchester City 1-1
(Pasalic 49′ / Sterling 7′)
Dinamo Zagreb – Shakhtar Donetsk 3-3
(Petkovic 25′, Ivanusec 83′, Ademi 89′ / Alan Patrick 13′, Moraes 90+3′, Tete (pen) 90+7′)
Crvena Zvezda – Tottenham 0-4
(Lo Celso 34′, Son Heung-Min 57′, 61′, Eriksen 85′)