“Plane ambicioze për Shkodrën”, Rama: Mbështetje agroturizmit, i jep mundësi ekonomisë të fuqizohet!

schedule12:13 - 30 Prill, 2024

schedule 12:13 - 30 Prill, 2024

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një videomesazhi në Facebook, ka ritheksuar se nuk do të mungojë mbështetja për t’i dhënë jetë agroturizmit në vend.

Rama, ndërsa theksoi se është rrugës për në Theth, është ndalur në “Bunin e Bajraktarit” siç edhe ai e quan “Ballkoni i Perëndisë”, i shoqëruar nga Elisa Spiropali dhe kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

“Po ngjitemi drejt Thethit ku do të diskutojmë atje me ata të cilët kanë hapur dyert dhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik për programin e ri, paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male që do t’u hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male për një jetë më të mirë, dhe që kanë punuar dhe kursejnë që më pas të investojnë në tokat e të parëve. Pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur nevojë të kalojnë në gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve. Me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve për të ndërtuar agroturizëm dhe për të fituar shumë më tepër se nga puna në shërbim të tjerëve dhe për t’i dhënë mundësi ekonomisë të fuqizohet edhe më shumë falë turizmit”, është shprehur Rama.

Më tej shtoi se planet për Shkodrën janë shumë të mëdha dhe se do t’i zbulojë në një moment tjetër.

/abcnews.al/