SHKODËR- Policia e Shkodrës ka vendosur si shpërblim një shumë monetare prej 30 mijë euro për këdo që mund të japë informacion për personin, i cili vendosi lëndë eksplozive në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e të dielës, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, të hënën vendosi t’i ofrojë mbrojtje magjistratit dhe familjes së tij për gjashtë muajt e ardhshëm.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla sulmin ndaj gjyqtarit e ka cilësuar si akt burracakësh, ndërsa tha se zbardhja e kësaj ngjarjeje është një akt prove për Policinë e Shkodrës.
Ai theksoi se kushdo që do guxojë të intimidojë me akte të tilla prokurorë apo gjyqtarë, do të marrë përgjigjen e merituar nga drejtësia shqiptare.
Njoftimi i Policisë Shkodër:
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.04.2024, rreth orës 03:00, në lagjen “Tom Kola”, ku në portën e oborrit të banesës së shtetasit Tonin Sterkaj., 62 vjeç, me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, është hedhur lëndë plasëse, ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të DVP Shkodër dhe Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit/ëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes.
Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.
Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri publike.