Fenomeni shqetësues, erozioni “gllabëron” lagje të tëra në botë

schedule12:19 - 26 Prill, 2024

schedule 12:19 - 26 Prill, 2024

Një rrugë në Buriticupu, qytet në verilindje të Brazilit, në të cilën dikur ka pasur shumë qarkullim, tani është shndërruar në humnerë të madhe, të thellë 80 metra. Një ndërtesë 20-katëshe mund të futet brenda saj.

Kanionet si këto janë të njohura në vend si “voçoroca” ose “tokat e prishura” në gjuhën e indigjenëve Tupi-Guarani.  Ky fenomen është rezultat i “erozionit të grykave”, një nga format më agresive të rrëshqitjes së dheut të shkaktuara nga shirat dhe uji.  Dhe ky lloj i erozionit është duke u rritur me shpejtësi shqetësuese, duke shkatërruar mijëra shtëpi në Amerikën Latine dhe në Afrikë.

Ish-oficeri i policisë Jose Ribamar Silveira, gati kishte vdekur kur kishte rënë në këtë grykë.

Ai kishte humbur rrugën pas një feste ndërsa ishte duke vozitur për në shtëpi natën, në maj të vitit 2023.

79-vjeçari thotë se ka nisur shpejt makinën duke vozitur mbrapa. Ishte errësirë, nuk kishte shenja paralajmëruese ose barriera rreth “voçorocas”, dhe para se ta kuptonte, makina – me të brenda – kishte rënë në vrimën e thellë.

“Kur ka rrëshqitur makina, edhe pse ishte duke rënë me shpejtësi, unë kam menduar për djalin tim të vogël”, thotë ai.

Djali i tij Gael, një ditë më parë kishte mbushur nëntë muaj.

“I lutesha Zotit për të më ndihmuar, në mënyrë që ta rrisja djalin tim të vogël”, thotë Silveira.
Ai kishte rënë pa vetëdije dhe ishte zgjuar në fund të grykës tri orë më vonë. Pas një operacioni të komplikuar të shpëtimit dhe muaj të tërë shërimi, ai tani mund të ecë pa paterica.

Eksperienca e tij është shembull i rrezikut me të cilin janë duke u përballur 70.000 banorët e Buriticupusë.

Teksa shfaqen më shumë gryka, ekziston frika se qyteti në shtetin Maranhao, në qoshe të pyllit tropikal Amazona, mund të ndahet në dy pjesë. 350 metra mbi nivelin e detit, Buriticupu ka rreth 30 gryka, dy më të mëdhatë janë larg nga njëra-tjetra vetëm një kilometër.

“Nëse autoritetet nuk bëjnë diçka, këto dy gryka do të bashkohen dhe do të formojnë një lumë”, thotë Edilea Dutra Pereira, gjeologe dhe profesoreshë në Universitetin Federal të Maranhaos.

Grykat kanë qenë pjesë e historisë gjeologjike të Tokës për miliona vjet.

Por Pereira dhe ekspertë të tjerë kanë thënë se grykat ekzistuese janë duke u zgjeruar shpejt dhe se ata janë të shqetësuar se do të hapen gryka të reja nga ndryshimi klimatik, çka mund t’i bëjë reshjet e shiut më intensive.

Dhe në vendet ku ndodhen qytetet pa planifikim dhe infrastrukturë adekuate për t’u ballafaquar me ujin e shiut, rreziku është edhe më i madh.

Brazili është vendi më i prekur në Amerikën Latine, por Meksika, Kolumbia, Ekuadori dhe Argjentina gjithashtu luftojnë me të njëjtin problem. Dhe përtej kontinentit, vendet në Afrikë, të tilla si Angola, Republika Demokratike e Kongos dhe Nigeria – ku disa gryka janë më se 2 kilometra të gjata – janë gjithashtu të prekura.

Ky lloj i erozionit kërcënon gjithashtu tokat pjellore të agrikulturës në disa vende të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës.

Të jetosh këtu është shumë rrezik

Nuk ka statistika zyrtare për vdekjet që lidhen më këto gropa, por autoritetet në Buriticupu thonë se grykat kanë përbirë të paktën 50 shtëpi dhe disa banorëve u është dashur t’i braktisin shtëpitë e tyre, duke i lënë lagjet të boshatisura.

Shtëpia e Marisa Cardoso Freires ndodhet buzë një gryke dhe është cilësuar si “me rrezik të lartë” nga Forcat e Mbrojtjes Civile në maj të vitit 2023.

Së bashku me 100 familje të tjera, asaj i është dashur të largohet nga shtëpia e saj dhe të zhvendoset në një pjesë tjetër të Buriticupusë.

Bashkia e qytetit u ka premtuar banorëve të zhvendosur se do t’u mbulonte shpenzimet e qirasë së shtëpive të reja, por Marisa thotë se komuna nuk i ka paguar qiranë në kohë dhe se ajo ishte kërcënuar me dëbim.

Në shtëpinë e vjetër të Marisas, dy nga qentë e familjes kishin rënë në kanion dhe kishin ngordhur.

Pastaj një ditë ajo ishte duke u përpjekur ta fuste në shtëpi djalin e saj 10-vjeçar Enzo, që vuan nga autizmi dhe i kishte ngritur zërin.

Enzo ishte zemëruar dhe kishte vrapuar drejt qoshes së grykës. “Nëse më bërtet përsëri, unë do të hidhem në gropë”, thotë se e kishte kërcënuar ai.

“Ky ishte momenti që unë i kam thënë burrit tim se nuk mund të qëndrojmë më këtu, është shumë e rrezikshme”, tregon ajo.

Ajo me siguri nuk do mund të jetojë më në shtëpinë që e ka ndërtuar.

“Kur jam larguar, më dhembi zemra sepse shtëpia ishte diçka për ndërtimin e të cilës kishim bërë gjithçka”.

Si ka arritur deri në këtë pikë? 

Shpyllëzimi luan rol të madh në këtë lloj të rrëshqitjes së dheut.

Buriticupu është tani vend i thatë dhe shkëmbor, por është pjesë e pyllit të Amazonës dhe dikur ka qenë i mbuluar nga lisa e pemë të ndryshme.

Atje, në vitet e ’90-ta, industria e lëndëve të drurit ka qenë duke lulëzuar. Ka pasur më shumë se 50 sharra që kanë punuar 24 orë në ditë. Njëzet vjet më vonë, shumica e vegjetacionit vendas ishte zhdukur.

“Çështja e vegjetacionit është e rëndësishme, sepse gjatë ditëve me shi, e ul ndikimin e reshjeve”, thotë Pereira.

Kur nuk ka mjaft bimë ose pemë për ta thithur shiun, reshjet e ndërrojnë pozicionin e grimcave të tokës dhe uji mblidhet në sipërfaqe. Formohen përrenjtë dhe e shtyjnë dheun. Nga kjo mund të krijohen grykat ose luginat.

Ndryshimi i klimës mund ta përkeqësojë procesin në zonat e prira ndaj erozionit, pasi mund të çojë në reshje më intensive të shiut.

Buriticupu është duke përjetuar stuhi të fuqishme më shumë sesa dikur, sipas Juarez Mota Pinheiros, klimatolog në Universitetin Federal të Maranhaos.

Në muajt e parë të vitit 2023, shteti i Maranhaos është ballafaquar me një nga përmbytjet më të rënda në historinë e tij. Më shumë se 60 komuna kanë kaluar në gjendje emergjence, mijëra njerëz kanë mbetur pa shtëpi dhe dhjetëra të tjerë kanë vdekur.

“Intensiteti i reshjeve është parashikuar të rritet për 10% deri në 15%. Kjo mund të mos duket shumë, por nëse ka reshje të shpeshta ekstreme, dinamika e erozionit ndryshon”, thotë Matthias Vanmaercke, nga Universiteti i Belgjikës.

Ai dhe kolegu i tij Jean Poesen kanë analizuar të dhënat nga më shumë se 700 gryka rreth botës dhe kanë ardhur në përfundim se nëse sasia e reshjeve rritet për atë përqindje, kjo mund t’i dyfishojë rreziqet nga “erozioni i grykave”.

“Është e vështirë të gjesh një shkencëtar që nuk bie dakord me faktin që ndryshimi klimatik do ta bëjë situatën edhe më të keqe”, thotë Vanmaercke.

Frika nga shiu

Ky fenomen është duke i prekur njerëzit në tërë botën, duke përfshirë miliona njerëz në Afrikë.
Kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, ka qindra gryka – njëra prej të cilave është 2 kilometra e gjatë. Grykat përbëjnë më shumë se 165 kilometra në qytetin që është shtëpi e 12 milionë banorëve.

Në vetëm një natë të shirave të shumtë në Kinshasa në dhjetor të vitit 2022, 60 persona kanë vdekur kur shtëpitë e tyre janë përpirë nga një grykë.
Alexandre Kadada ishte atje.

“Kjo ka ndodhur brenda 30 deri 40 minutave. Gryka kishte filluar të hapej dhe të gjitha shtëpitë u zhdukën. Lagjja ishte bërë e panjohur”, thotë ai. “Gjërat e mia, shtëpia ime, gjithçka ishte zhdukur. Arrita ta shpëtoja vetëm gruan dhe fëmijët e mi”.

Fqinja e Kadadas dhe katër fëmijët e saj ishin në mesin e viktimave. Burri i saj ka mbetur me aftësi të kufizuara.

Fëmijët e Kadadas janë tani të frikësuar edhe kur bie vetëm pak shi.

“Ishte shiu që shkatërroi gjithçka. Shiu ka sjellë vdekje dhe dëshpërim”, thotë ai.
“Ne e konsiderojmë shiun si të rrezikshëm në ‘Anthropocene’”, thotë Vanmaercke. ‘Anthropocene’ është term që përdoret nga disa shkencëtarë për t’iu referuar kohëve të sotme, kur veprimtaritë njerëzore kanë ndikuar thellësisht në planet.

Popullata e Kinshasas pritet të rritet në 20 milionë banorë deri në vitin 2030 dhe në 35 milionë deri në vitin 2050, duke u bërë qyteti më i madh në Afrikë, sipas Bankës Botërore.

Rritja urbane e pakontrolluar mund ta përfshijë prerjen e pemëve – barrierë natyrale ndaj erozionit – dhe popullimin e paligjshëm të zonave potencialisht të paqëndrueshme.

Në Buriticupu njerëzit gjithashtu frikësohen nga shiu.

“Ka kohë kur toka me madhësi të një shtëpie shembet. Kjo bën një zhurmë të madhe, dridh gjithçka. Pastaj njerëzit qajnë. Mërzia që kjo shkakton është e çmendur”, thotë Joao Batista, mekanik 52-vjeçar që zoton një punishte në cep të një gryke.

“Kam humbur 40% të konsumatorëve. Shumë prej tyre janë të frikësuar të vijnë këtu”, thotë ai. Por ai refuzon të largohet.

“Voçoroca” pas punishtes së tij ishte dikur një shesh i lojërave për fëmijë, thotë ai, por gryka ka përbirë gjithçka.

Ai ka vendosur të mbillte një bambu në përpjekje për ta ngadalësuar erozionin. Por duke parë madhësinë e problemit, Buriticupu ka nevojë për zgjidhje më të mira.

Çfarë mund të bëhet? 

Megjithatë, me inxhinierinë dhe investimin e duhur, “e gjithë kjo është e parandalueshme”, thotë Vanmaercke.

“Për ta ndaluar ‘erozionin e grykave’, qytetet duhet të ndërtojnë sisteme të duhura të kullimit, për ta kontrolluar rrjedhjen e ujit të shiut, për ta devijuar ujin larg zonave të cenueshme ndaj grykave”, shpjegon Poesen.

Por këto skema kushtojnë shuma të mëdha parash për qytetet ku buxhetet janë të vogla.

Zyra e prokurorit publik të shtetit të Maranhaos është duke hetuar bashkinë e qytetit Buriticupu, duke thënë se planet nuk janë ndjekur siç është rënë dakord.

Bashkiaku i Buriticupusë, Joao Teixeira da Silva ka thënë se ka kërkuar ndihmë financiare nga qeveria federale për ta financuar punën për devijimin e ujit të shiut.

Qeveria kombëtare ka thënë se është duke shqyrtuar për dhënien e 60 milionë dollarëve për Buriticupunë. Ajo ka shtuar se tashmë i ka dhënë 125,000 dollarë për të ndërtuar një kanal dhe sistem kullimi për stuhitë, për t’i restauruar rrugët lokale dhe për të rrënuar 89 shtëpi.

Ministria e Mjedisit thotë se e ka një program për t’i zbatuar projektet për ndryshim të rrjedhjes së ujit, por se aktualisht nuk është duke bërë asgjë në Buriticupu.

“Këto janë punë komplekse, punë që kërkojnë resurse të mëdha”, thotë bashkiaku. “Çfarë na duhet neve është përgjegjësia, si në nivele komunale ashtu edhe në shtetërore dhe federale”.

Por Joao Batista është i vetëdijshëm se nëse gryka prapa punishtes së tij rritet, atij do t’i duhet të zhvendoset.

“Kjo është natyra që na thotë se nëse nuk kujdesemi për planetin tonë, ai do të shkatërrohet. Nëse vazhdon të bjerë shi kështu, atëherë ne jemi në duart e Zotit sepse nuk mund të bëjmë asgjë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!