Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, O’Brien që Kosova të lëvizë drejt integrimit euroatlantik duhet të zbatojë zotimet që dalin nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Uashingtoni.
“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që ishte i pranishëm në këtë takim, tha po ashtu se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia “të përmbushin të gjitha obligimet” e dialogut të Brukselit.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe më pas më 2015 për themelimin e Asociacionit.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk kishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Po ashtu, themelimi i Asociacionit është përfshirë edhe në Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve që palët arritën vitin e kaluar.
BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që themelojë Asociacionin. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare i paraqiti Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin.
Palët fillimisht e pranuan draft-statutin, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij.
Po ashtu, vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit. Kjo marrëveshje, sipas BE-së, ende nuk është zbatuar nga palët.
Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./REL/